E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Kompromisi është në tavolinë, maxhoranca të lërë kokëfortësinë”

Kreu i PS-së i bën apel qeverisë të angazhohet në zgjidhjen e krizës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në një takim rreth 60 minuta kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Rama dhe Topi kanë biseduar rreth krizës politike në Shqipëri, konkretisht për dialogun politik që pritet të nisë në kuadër të zgjidhjes së këtij ngërçi politik. Zyra e shtypit e Presidentit konfirmoi se takimi u kërkua nga kreu i PS-së. Kreu i PS-së nuk ka pranuar të prononcohet për mediat menjëherë pas takimit me presidentin Topi, por ka preferuar të dalë në një konferencë për shtyp pas një ore. Lideri i opozitës i ka bërë apel maxhorancës për zgjidhjen e krizës dhe shprehu gatishmërinë e opozitës për të bërë kompromisin e duhur pa cenuar transparencën, por të realizohet në respekt të Kushtetutës. Kryesocialisti theksoi se Shqipëria nuk mund të tërhiqet më zvarrë në hullinë e një krize politike e institucionale, e cila i ka rrënjët te kutitë e mbyllura të 28 qershorit. Ai nënvizoi se moszgjidhja e krizës do të rëndojë gjendjen e demokracisë, drejtësisë, ekonomisë së vendit.
Transparenca
Kryesocialisti i ka bërë thirrje qeverisë që të lërë mënjanë kokëfortësinë dhe t’i hapë rrugë transparencës. Ai theksoi se askujt nuk i intereson që kriza qeverisëse të thellohet në dëm të stabilitetit institucional të vendit, duke thelluar krizën e ekuilibrave të pushteteve dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në thellimin e krizës ekonomike të këtij vendi. “Kjo krizë që ka shqetësuar seriozisht të gjithë miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë dhe ka nxitur së fundi reagimin alarmant të qeverisë së Shteteve të Bashkuara edhe për shkak të shprehjes brutale të mungesës së vullnetit të mirë në rastin e votimit për Gjykatën Kushtetuese, duhet të marrë fund një orë e më parë”, - u shpreh Rama.
Kompromisi
Lideri i opozitës ia ka bërë të qartë maxhorancës se zgjidhja e kompromisit është në tavolinë dhe se asaj i duhet vetëm të negociojë. “Zgjidhja e kompromisit është në tavolinë si shprehje e vullnetit tonë të mirë dhe e vetëdijes sonë politike e qytetare për nevojën e madhe që ka Shqipëria sot për t’u çliruar nga pesha e krizës së mungesës së transparencës”, - theksoi Rama. Në këtë kuadër, kryesocialisti nënvizoi se pala tjetër nuk duhet të vonojë zgjidhjen në dëm të vendit. “Ne jemi gati për zgjidhjen, pala tjetër s’ka pse fshihet pas alibive që tanimë janë rrëzuar dhe as duhet ta vonojë pranimin e zgjidhjes duke u faturuar shqiptarëve pasoja krejt të pamerituara e duke shtuar peshën e krizës në kurriz të interesave të vendit dhe me pasoja të pallogaritshme në rrugën e integrimit europian”, - u shpreh Rama.

Topalli pret në një takim deputetët e Komisionit të Arsimit të Kuvendit të Kosovës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar dje një takim me deputetët e Komisionit të Arsimit të Kuvendit të Kosovës. Në takimin me kryetaren e Kuvendit ata falënderuan për mbështetjen e Shqipërisë për pavarësinë, njohjen e Kosovës dhe forcimin e institucioneve të saj. “Kosova nuk do të kish shkuar kaq larg nëse nuk do të ishit ju dhe institucionet tuaja”, - thanë përfaqësuesit e Komisionit të Arsimit të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Arsim Rexhepi. Duke u ndalur te arsimi, kryetarja e Kuvendit tha se kjo fushë është fokus i reformave në vend. “Kombi ynë arsimin e ka një prioritet. Këto janë kohëra vendimtare për kombin. Kosova është e pavarur. Shqipëria është në NATO. Shpresojmë së shpejti të hiqen edhe vizat për shqiptarët”, - u shpreh Topalli. Deputetët e Kosovës thanë se nuk janë anëtarë të NATO-s, por NATO-ja është në Kosovë si në shtëpinë e vet dhe janë shumë të lidhur me simbolin e Aleancës. Në bisedën me kryetaren e Kuvendit, deputetët e Komisionit të Arsimit të Kosovës shtruan idenë e organizimit të një takimi të komisioneve të arsimit të rajonit në Prishtinë. Kryetarja e Kuvendit tha se kjo është një ide e shkëlqyer dhe Kuvendi i Shqipërisë do të jetë i angazhuar maksimalisht për këtë takim. Përfaqësuesit e Komisionit të Arsimit të Kosovës diskutuan edhe mbi ecurinë e miratimit të ligjit për arsimin e lartë, duke kërkuar përvojën e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe mbështetje me pedagogë nga Shqipëria për Universitetin e Prizrenit, që do të hapet së shpejti. Në këtë takim, deputetja Drita Kadriu i përcolli kryetares së Kuvendit përshëndetjet e zonjave deputete të Kuvendit të Kosovës dhe ftesën për një takim me to së afërmi në Kosovë.

26 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›