E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha prezanton drejtoresha e AIDA

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha, gjatë një konferencë të sotme për shtyp, prezantoi drejtoreshën e Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA), Eneida Guria.
Kryeministri Berisha, në komunikimin e parë për këtë vit me gazetarët, e konsideroi drejtoreshën Guria një histori te vërtetë suksesi në fushën e reformave ekonomike dhe biznesit, sidomos me ngritjen dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare të Licensimit.
Sipas kryeministrit, për ngritjen e AIDA-s qeveria gjatë dy viteve ka kontaktuar me ekspertët ndërkombëtarë më të mirë në Europë dhe botë në fushën e investimeve të huaja.
"Ekspertët kanë studiuar të gjitha potencialet e mëdha të Shqipërisë, burimet e saj natyrore dhe njerëzore, duke arritur në përfundimin se Shqipërisë i mungon Agjencia e përshtatshme për investimet dhe zhvillimin dhe se ajo duhej ngritur", deklaroi Berisha.
Sipas tij, AIDA do të ketë një bord të sajin, që do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisë, ekspertë të fushës së investimeve, si dhe të biznesit privat.
"AIDA do të udhëhiqet nga një bord, ku vendimmarrësit kryesorë do të jenë ata të fushës së investimeve dhe biznesit privat dhe në krye të bordit ligji parashikon kryeministrin e vendit, ndërsa zv/kryetar do të jetë zëvendëskryeministri. Bordi ka një drejtor ekzekutiv dhe kryeministrit i është propozuar Eneida Guria, e cila do ta shndërrojë këtë agjenci në një histori të dytë suksesi të madh", pohoi kryeministri Berisha, duke sqaruar se AIDA ka disa drejtori.
Ai shtoi se një prioritet i AIDA-s përveç investimeve, do të jenë dhe eksportet.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›