E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha prezanton Buxhetin2010, Kutitë? Nuk dal mbi gjykatat

TIRANE- Gjatë fjalës së tij në seancën plenare të pasdites, kryeministri Sali Berisha i bëri sërish thirrje kreut socialist Edi Rama të bëhet pjesë e parlamentit për të mos penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve në Europë. Berisha nënvizoi se kërkesat e socialistëve për hapjen e kutive të votimit nuk mund të realizohen për shkak se bien ndesh me vendimet e drejtësisë.

Kreu i qeverisë prezantoi përpara deputetëve të pranishëm në Kuvend buxhetin e vitit 2010, duke e konsideruar atë si historik për faktin se sic tha ai, është buxheti i vitit të parë të ecjes së sigurtë drejt Bashkimit Europian dhe se do të miratohet vetëm 4 ditë pasi ministrat e vendeve të BE-së vendosën të hapin dyert për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë.
“Buxheti i vitit 2010 është buxheti i dytë për cdo shqiptar. Ky është buxhet historik në shumë aspekte sepse është buxheti i vitit të parë të ecjes sonë të sigurtë drej BE-së” theksoi kreu i qeverisë.

Kryeministri Berisha nënvizoi se buxheti 2010 është realist e i bazuar në rritjen ekonomike ndërsa tha se ky buxhet merr në konsideratë interesat fiskale të qytetarëve përmes rritjes së pagave dhe pensioneve.
“Ne u paraqesim shqiptarëve një buxhet që bazohet tek rritja ekonomike prej 12%, që merr në konsideratë interesat fisnike të qytetarëve, para së gjithave rritjen e rrogave dhe pensioneve. Nuk ka diskutim që mirëqenia është një standard europian” theksoi Berisha.

Kreu i maxhorancës siguroi shqiptarët se shumë shpejt do të mund të lëvizin të lirë në vendet e Bashkimit Europian duke garantuar gadishmërinë e qeverisë që drejton për të cuar përpara të gjitha reformat e kërkuara për këtë cështje.
“Lëvizja jonë e lirë ka çmimin e vet, është një betejë kundër krimit të organizuar. Do të paguajmë cdo cmim për zero tolerancë ndaj tij.
Do të adaptojmë teknologji moderne për kontrollin e kufijve” shpjegoi Berisha ndërsa herë pas here shigjetoi kreun socialist për pengimin e këtyre proceseve përmes protestave që Berisha i cilësoi mitingje antivizë.

Kryeministri foli edhe për projektet infrastrukturore të qeverisë gjatë këtij mandati duke theksuar se projekti kryesor në këtë fushë mbetet boshti i jugut.
“Boshti i jugut është projekti kryesor i këtij mandati, si pune publike. Është shumë i kushtueshëm , ka së paku 3 tunele, një në Tiranë- Elbasan dhe 2 në Berat- Tepelene. Por ky bosht është jetik për ta bërë Shqipërinë një vend modern, për të shpejtuar zhvillimin e saj” pohoi Berisha teksa ironizoi akuzat e opozitës për shembjen e tunelit të Thirrës. “Rama mund të bëjë përgjegjëse qeverinë për strukturat natyrore e gjeologjike , por ne do të vazhdojmë të ndërtojmë tunele” tha kryeministri nga foltorja e kuvendit.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›