E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha prezanton kandidatët e Krujës

04/06/2005  Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar dje në zonat zonat 23 dhe 24 të Krujës kandidatët për deputetë të PD-së, Shkëlqim Ziri dhe Ndriçim Babasi. Gjatë fjalës së tij, Berisha i ka kërkuar kandidatës socialiste Natasha Paço të tregojë burimet e financimit. Kreu demokrat, Berisha, paraqiti dje dy kandidatët e PD-së në qytetin e Krujës dhe në Fushë Krujë, në dy takime të veçanta. “Para se Paço të kandidojë për deputete, le të tregojë se ku i gjeti paratë e pallatit, që edhe Nano kërkoi t’ia shembë, po nuk ia arriti dot”, ka thënë Berisha. Sipas tij, edhe vetë Kryeministri nuk e mposhti dot pallatin e Paços, pasi ajo është pjesë e krimit ekonomik që po lulëzon në këto zona. “Pas pamjes së saj të pafajshme, fshihet fijet e krimit ekonomik, ndaj ajo të sqarojë nëse paratë i ka prej korrupsionit, apo prej drogës”, ka theksuar Berisha. Pas këtyre akuzave, kreu demokrat ka vijuar me premtimet e qeverisjes së ardhshme të Partisë Demokratike, të cilat përfshihen në programin e saj elektoral. Berisha ka vënë theksin te mundësia e punësimit të njerëzve, mbështetja për biznesin dhe lufta pa ndërprerje ndaj korrupsionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›