Berisha prezanton kandidatët e PD në Kamëz
31/05/2005 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar dje në Kamëz kandidatin për deputet të Partisë Demokratike për zonën 43, Safet Sula, i cili do të ketë përballë kandidatin socialist, Shyqyri Duraku. Gjatë fjalës së tij, kreu demokrat Berisha premtoi legalizimet për këtë zonë me çmime të arsyeshme. Berisha shtoi se vota për koalicionin opozitar është vota për ndryshimin e këtij realiteti, i cili po fut çdo ditë e më shumë në krizë shoqërinë shqiptare me korrupsionin galopant. Gjatë fjalës së tij kreu demokrat premtoi për banorët e zonës më shumë investime, shkolla dhe kopshte për fëmijët e Bathores dhe të Kamzës. Në premtimet e Berishës zunë vend punësimi dhe reduktimi i varfërisë në këtë zonë, fenomene këto të cilat, sipas Berishës, largojnë çdo vit qindra të rinj nga vendi. Pas prezantimit në zonën 43, kryetari i PD ka udhëtuar drejt Kasharit, ku ka prezantuar kandidatin për deputet të zonës 47, Baki Shehu. Gjatë fjalës, Berisha tha se zona e Kasharit, Pezës dhe e Ndroqit, megjithëse nuk janë larg kryeqytetit, sërish janë detyruar të jetojnë në kufirin e varfërisë. Berisha premtoi ulje të akcizës së naftës për fermerët si dhe krijimin e hapësirave për shitjen e prodhimeve të tyre.