E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Mbështetja që gëzon LSI në Korçë, do më japë fitoren”

31/05/2005  Kandidati i LSI, Vasil Thimio shprehet se do të përqëndrohet në rivendosjen e vlerave kulturore të Korçës.

“Njerëzit mund t’i humbasësh ose t’i fitosh gjatë fushatës elektorale, ndërsa LSI fiton çdo ditë besimin e njerëzve, ashtu siç po ndodh edhe në Korçë”. Me këtë frazë, Vasil Thimio, kandidati i LSI për zonën nr. 80, të Korçës, shpreh edhe sigurinë e tij për fitore. Gjendja e mjeruar ekonomike, integrimi i vendit dhe i Korçës, si pjesë e tij, si dhe rikthimi i vlerave kulturore të këtij qyteti, janë pikat “e forta”, ku Thimio, një nga mbështetësit e parë të LSI, do të mbështesë fushatën e tij elektorale.

Me ç’përvojë jetësore, profesionale dhe politike hyni në këto zgjedhje?

Jam 53 vjeç. Vij nga një familje me tradita patriotike dhe pjesëmarrëse në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kam kryer studimet në Institutin e Latë Bujqësor dhe që nga viti ‘75 dhe deri më sot kam punuar si specialist në fushën e bujqësisë. Njëkohësisht, gjatë kësaj kohe, kam kryer disa specializime. Për sa i përket politikës, nuk kam qenë i angazhuar më parë. Ka qenë dalja në skenë e LSI, që zgjoi shpresat te mijëra njerëz. Kështu ndodhi edhe me mua. Jam anëtar i saj që nga dita e themelimit të kësaj lëvizjeje.

Cilat janë pikat më të rëndësishme të programit tuaj elektoral?

Më shqetësojnë kushtet ekonomike sociale të njerëzve. Duket qartë se Korça nuk ndihet mirë, kur konstaton traditat e saj të humbura. Përballë kësaj gjendjeje, Korça sërish ka qenë e harruar. Jo vetëm integrimi i Shqipërisë nuk është bërë i mundur, por nuk mund të flitet as për integrimin rajonal të Korçës, kur ekzistojnë të gjitha mundësitë. Është venitur kultura e saj, aq sa mund të them se Korça është një dhimbje e madhe. Dalja nga kjo gjendje është programi ynë elektoral për Korçën. Fillimisht, do të synonim në risjelljen e vlerave turistike, kulturore dhe tradicionale, çka do të gjallëronte jetën ekonomike dhe sociale të Korçës. Do të bëj të njohur programin për punësimin e qytetarëve, veçanërisht të të rinjve dhe të sapodiplomuarve.

Çfarë u bën të besoni në fitoren tuaj?

Mbështetja që ka LSI në elektorat. Qytetarët po gjejnë te kjo lëvizje forcën më progresiste të krahut të majtë. Aktualisht në zonën nr.80, ku unë kandidoj, kemi 1000 anëtarë. Ndërkaq, të tjerë qytetarë kërkojnë anëtarësimin në këtë lëvizje. Mes anëtarësisë, kemi shumë të rinj me mjaft energji dhe optimizëm. Fushata ime elektorale do të jetë e mbështetur fuqishëm nga të gjithë ata që besojnë te kjo forcë politike. Shou mediatik i disa konkurrentëve të mi po i vjen në ndihmë LSI-së, e cila po paraqitet gjithnjë e më e besueshme. Në këto kushte, hyj i sigurtë në fushatën elektorale, ndërsa përkushtimi im, përgjegjësia, ndershmëria, puna me njerëzit, këtë siguri do ta bëjnë të qëndrueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›