E Hënë, 2 Nëntor 2026

Marina Marinova, dashuritë në dy kohë

31/05/2005  Në diktaturë Migjeni, tani Kadare

Këto ditë që ka qëndruar në Tiranë, përkthyesen e Kadaresë në gjuhën bullgare e ka intriguar fakti për të gjetur një ekzemplar të veprës “Qorrfermani”, roman që është zhvilluar nga dy novela. Marina Marinova, me vullnet shumë rezistent, edhe pse ka 47 vite që përkthen letërsinë shqiptare në Bullgari, thotë se do të punojë deri në frymë të fundit për të njohur botën shqiptare. Ndërkohë beson në të ardhmen e letërsisë artistike, kur tregun në Bullgari e kanë mbytur romanet komerciale.

Sot, Marinova niset për në Bullgari, ku pas 16 vitesh ishte ftuar në Tiranë për t’u nderuar me mendaljen e mirënjohjes për kontributin që ka dhënë për njohjen e letërsisë shqipe në Bullgari.

Nderimi juaj me medaljen e mirënjohjes nga media këtu, u komentua si e vonuar, po ju si e pritët, kur dihet koha e gjatë e kontributit tuaj për njohjen e letërsisë shqipe në Bullgari?

Nderimi që m’u dha nga shteti shqiptar më ka gëzuar shumë, sidomos për gjëra të bukura që e plotësojnë njeriun në zemër. Me kënaqësitë nuk ka vonesa, ajo mund të të jepet në çdo kohë dhe mbas shumë vjetësh, nuk ka fort rëndësi. Kryesore është se, çmimi që më dhanë po më shtyn të punoj me forca të reja. Sa për çmimet, të gjitha i kam marrë në Bullgari, sa i takon punës që kam bërë me përkthimet, nga shqipja në bullgarishte. Por, nderimi që më bëri Republika e Shqipërisë është një gjë e veçantë për ndjenjat e mia. Vërtet kam punuar shumë gjatë, por nuk mendoj se më kanë nderuar me vonesë. Vetëm më vinte keq, se shumë njerëz që dinin bullgarisht në Shqipëri, shkrimtarë, i kemi ftuar shpesh të vijnë në Bullgari. P.sh., kur kemi bërë një konferencë ndërballkanike janë ftuar dhe nga Shqipëria, gjithnjë kanë ardhur poetë e delegacione që nga viti 1987 dhe 1989. Kanë qenë atëherë Fatos Arapi, Dalan Shapllo, Nasho Jorgaqi, Fatmir Gjata etj., secili prej tyre ka pasur dijeni dhe janë njohur me punën që kam bërë në Bullgari. Pikërisht këta nuk kanë shkruar asnjë fjalë për këtë. Ndoshta konjukturat e ndryshme, jam e bindur, kanë influencuar jashtëzakonisht shumë mbi to. Por tani mendoj se me nderimin që më bëri shteti shqiptar, të gjitha këto mund të harrohen si gjë e kaluar.

Keni mbi 40 vite që jeni marrë me njohjen e letërsisë shqipe në gjuhën bullgare, kur i keni filluar përkthimet, cili ishte kontakti i parë?

Po mbushen plot 47 vjet nga fillimi i punës sime si përkthyese. Tani koha vrapon, kjo është e vërtetë, por unë akoma jam në gjendje të vazhdoj punën time, që e kam filluar qysh në vitin 1958, me përkthimin e prozës së Migjenit. Në ekspozenë e botimeve që kam bërë nga letërsia shqipe, e kam shënuar se me Migjenin është marrë poeti Marko Gançevi, mirëpo ai është vetë poet, shkruan poezi, për këtë shkak pëson ca ndikime gjatë përkthimit dhe, kështu i largohet pak përkthimit të poezisë shqipe.

Pse përzgjodhët Migjenin, kur në këtë moment kishte shkrimtarë bashkëkohorë që mund të përzgjidhje?

Për Migjenin kam pasur një dashuri të veçantë. Kjo më erdhi nga profesori im, i cili na jepte letërsinë shqipe. Ai ka qenë gjithashtu një shkrimtar, poet shkodran, dhe ky është një defekt i vogël, por në sy i shkonte aq shumë dritë për Migjenin, sa kur kam dëgjuar leksionet më kanë dale, padashje, lot në fund të syrit. Ky profesor ka vdekur, emrin e kishte Vehbi Bala. Më pas kur mbarova Institutin Pedagogjik, ruaj një fakt shumë interesant, që nuk e kam shprehur asgjëkundi. Kisha vetëm një dëshirë të shikoja varrin e Migjenit, ku dergjeshin kockat e poetit, mbeturinat që patën sjellë në Shqipëri dhe i kishin varrosur në Shkodër. Në atë kohë nuk kishte as vetura, një pamundësi udhëtimi. Mbaj mend se u nisa me një autobus që shkonte një herë në javë, a dy, për në Shkodër, së bashku me bashkëshortin tim, që punonte në atë kohë në Shqipëri si specialist, inxhinier të bonifikimit. Drejtori i ndërmarrjes së projekteve, Sali Angoni, na dha një makinë për të shkuar në Shkodër. Vajta atje dhe gjeta varrin e Migjenit. Lashë me dashuri një lule dhe mora një grusht dheu nga varri. Për këtë fakt nuk ju gënjej, sepse kur erdha tani në Shqipëri, pas kaq vitesh, Llukan Tase, që është kryetar i shoqatës shqiptaro-bullgare, më ka pyetur për vajtjen time në Shkodër. Përgjigjja ime ishte pikërisht për faktin se, Migjeni ishte poeti im i parë që kam përkthyer, më i madhi klasik shqiptar. Ishte shoferi që na shoqëroi në atë kohë, që i kishte treguar mikut për qëllimin e vajtjes sonë në Shkodër, se kisha gjetur varrin, se kisha lënë një lule dhe se kisha mbështjellë me letër një grusht nga dheu i poetit. Ardhja ime e kishte shtyrë shoferin që të takonte pikërisht kryetarin e shoqatës për të më takuar, duke i treguar njëkohësisht dhe historinë time me Migjenin. Kjo gjë më befasoi, më tronditi shumë dhe nuk u besoja veshëve. Dhe është e natyrshme.

Më pas kam një fakt tjetër, që i takon një kohe më të vonë. Për sa i përket pyetjes suaj, pse përktheva të parën në gjuhën bullgare prozën e Migjenit, ka të bëjë me 20-vjetorin e vdekjes së poetit, më 1958. Në Bullgari ky poet u prit jashtëzakonisht mirë, sidomos poezia, por edhe proza, gjithashtu. Madje, kisha shumë shokë letrarë, që i kishin mbajtur mend fjalët e famshme të tregimit “Legjenda e misrit”. Kjo ishte një fjalë metaforike, sepse në Ballkan ka akoma shumë uri.

Jo vetëm lidhje profesionale, por më shumë duket si diçka që ka të bëjë me marrëdhënien personale, si përkthyese me letërsinë shqipe. Në këtë rast është zgjedhje e autorit apo e letërsisë, cilat kanë qenë mundësitë e selektimit?

Mund të them se kurrë nuk i kam ndërprerë përkthimet. Kur kam nisur rrugën më ’58, pavarësisht se ndihmoheshin “jetimet” për arsye të njohura, në gjuhët ballkane, prap se prap e kam zgjedhur çdo vepër me hollësi dhe njohuri në të lexuar, duke plotësuar mendimet që kam pasur, ose përshtypjet nga një vepër. Këtë e bëja vetëm e vetëm për të paraqitur letërsinë më të mirë që është botuar në Shqipëri. Sepse për letërsinë nga një vend i vogël, më falni, është shumë e vështirë t’i vijë radha për t’u botuar dy-tri libra çdo ditë. Askush nuk më ka konsultuar, askush nuk më ka dhënë mendim. Autorët i kam zgjedhur vetë, pasi vazhdimisht kam qenë në kontakt përmes analizave, duke krahasuar veprat që më kanë rënë në dorë. Kam gjetur mundësi dhe rrugë që të m’i sillnin veprat nga Kosova apo diplomatë nga Tirana.

Jeni një përkthyese mjaft selektive, gjë që duket dhe nga mënyra se si keni përzgjedhur autorët apo veprat nga letërsia shqipe. Ndërsa ke jetuar të dy kohët, diktaturën dhe tani demokracinë në Shqipëri.

Ju nuk vinit në vendin tonë në atë kohë, si arrije të njiheshit me botimet, sa e keni ndjerë censurën e përzgjedhjes në letërsinë shqipe?

Për fat të mirë, mund të duket si lavdi kur përkthyesja lëvdohet, në periudhën e diktaturës kam zgjedhur vepra që nuk kishin fare lidhje me diktaturën. Atëherë kam përkthyer, para viteve ’80, Miço Kallamatën me satirën e fortë të regjimit të Zogut, “Nën hijen e dordolecëve” dhe kryesisht i kushtohet ministrit analfabet, që ka qenë anëtar i qeverisë së mbretit të shqiptarëve, se kështu i thonin, jo mbret i Shqipërisë. Kisha mundësi që të lexoja vepra që më ka rekomanduar ndonjë shtëpi botuese, ose të propozuar nga ndonjë mik.

Është e vërtetë, librat arrija t’i siguroja me mjaft vështirësi nëpërmjet ndonjë bullgari, deri në kohën kur kishim marrëdhënie diplomatike. Ata më kanë ndihmuar shumë. Ata përzgjidhnin në atë kohë libra që ishin shumë të mirë dhe që shiteshin, ose iu referoheshin mendimit të kritikëve shqiptarë. Njëherë më kanë sjellë një autor, mendova se ishte një autor i mirë, por në fund të librit ai ishte i implikuar me ideologjinë. Kur pashë këtë hoqa dorë, sepse nuk doja të përktheja libra me politikë. Kur bëhet fjalë për përkthimet, nuk është vetëm Ismail Kadare i botuar për herë parë në Bullgari, kur hyri me prozën “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Por ka shumë autorë të tjerë që e kanë parë Botën për herë të parë. Shumë shkrimtarë në atë kohë nuk njiheshin, sepse diktatura nuk i botonte si p.sh., Fishtën, Kutelin a Poradecin. Kurse tani shumë nga ato shkrimtarë që kanë qenë vërtet me vlerë dhe kanë dhënë shumë për letërsinë shqipe, janë përsëri të njohur, por është tepër vonë, sepse dhe lexuesit kërkojnë diçka më aktuale, më afër ose atë që po jetojmë ne.

Në kohën që studiuat këtu, a patët rënë në kontakt me letërsinë e ndaluar, sa kishit mundësi t’i lexonit?

Jo, nuk kisha mundësi të njihja nga kjo letërsi, as autorët e saj. Shumë vonë një shoqe ime e ngushtë më dërgoi një fotokopje me fragmente nga poezia e Gjergj Fishtës. Ajo shoqe ishte Janka Selimi. Me të konsultohesha dhe bisedonim mjaft për librat.

Të hidhemi te periudha kur vendi ynë filloi të hapej... si shkoi fati i marrëdhënies tuaj me letërsinë shqipe?

Periudha pas diktaturës është shumë më e vonshme. Marrëdhëniet ose lidhjet filluan andej nga mesi i viteve ’80. Interesi i periodikëve, revistave, gazetave në Bullgari, u hapën për të hyrë në njohuri për letërsinë shqipe. Një gazetë hapi një rubrikë për të gjithë Ballkanin. Atje unë kam paraqitur më shumë se 25 autorë shqiptarë, tregimtarë ose fragmente nga novela me shënime biografike për të gjithë autorët.

Është një tregim i Dalan Shapllos në “Në shtëpi i vetëm”, akoma mbahet mend etj. Kështu ngadalë doli romani i famshëm i Ismail Kadaresë, që mbahet mend në Bullgari.

Tani flasim si përkthyese ekskluzive e Kadaresë. Sapo u botua në Shqipëri “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ju nxitoni për ta çuar, fill, në gjuhën bullgare. Si u njohët me veprën e Kadaresë, cila është përshtypja që krijove për shkrimtarin?

Me Kadarenë nuk kisha pasur lidhje deri në kohën kur më 1989-ën erdha në Shqipëri për herë të parë. E kam takuar dy herë, ku ai më njihte nga Instituti, sepse erdhi student, përpara se të hapej Universiteti. Pata këtë përshtypje: e mbajta mend si një njeri i ri, shumë i koncentruar në vetvete. Përse? Nuk e pashë asnjëherë nëpër korridore të bisedonte. Kolegët e mi më thonin se ishte një poet jashtëzakonisht i madh, se në moshën 18-vjeçare ka botuar një përmbledhje me vjersha. Por mua nuk më bëri përshtypje, sepse çdo koleg, aty, shkruante vjersha. Edhe unë kisha njohuri për letërsinë shqipe dhe e dija shumë mirë se poezia shqiptare është me famë, shumë e vjetër, shumë e zhvilluar. Por, kryesore është se nuk e kam studiuar çfarë ka publikuar Kadare në Francë, sepse e kam botuar veprën e tij në bullgarisht, qysh më ’66-ën. Kohë kur në Francë nuk e kishin idenë për Ismail Kadarenë. Tani po dhe jam shumë e gëzuar për vetë shkrimtarin, se e botojnë në frëngjisht.

Si u prit Kadareja në botën bullgare, duke ditur rrethanat e asaj kohe?

Botimi i parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e bëri punën e vet. Ishte gjë e paparë në letërsi, jo vetëm për letërsinë në Bullgari, apo Ballkanike, por edhe për Botën. Atëherë më ’66-ën kritika ka qenë pa zë në Bullgari, kuptohet nga frika se Shqipëria ka qenë e demosur, e larguar nga kampi “socialist”. Dhe askush nuk guxonte në këto rrethana të shkruante diçka. Madje dhe mbas ndryshimeve, recensionet e para të përkthimeve të mia kanë dalë më 1991, përsa i përket përmbledhjes që botova me novelat më të bukura të Kadaresë.

Keni përkthyer afro 2 mijë faqe nga vepra e Kadaresë. Cila mendoni që është pika e fortë e këtij suksesi të veprës së Kadaresë në Bullgari, duke pasur parasysh që është vendi i parë që e priti shkrimtarin me “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”?

Ajo që bëri më shumë përshtypje ishin novelat. Motivi i folklorit në to, që ne i kemi të përbashkëta, duke u njohur si balada mite. Sidomos me veprën “Kush e solli Doruntinën”, me motivet e kësaj vepre, ai vërtetë krijoi një tjetër hapje, e cila jo vetëm që u pëlqye në Bullgari, por e kanë vërtetuar si kryevepër. Megjithatë duhet të them se shumë vështirësi kam patur. Në fillim jam munduar që të nxjerr në tregun e librave veprën e Kadaresë, kur tani në Bullgari nuk ka shtëpi botuese shtetërore, të gjitha janë private. Në këtë kohë, qëllimi i parë i botuesit privat është që të botojë vepra, pavarësisht nga vlera, për qëllime biznesi, duke sjellë botime komerciale.

Dhe tani për tani kam bërë vërtetë përpjekje duke përkthyer disa vepra, të cilat dolën me shumë vështirësi. Janë dy përmbledhje që kam bërë me novelat e Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën” së bashku me “Prillin e thyer”, dhe kjo është një novelë me famë. Ne nuk e njohim në Bullgari “hakmarrjen” dhe kjo i hapi sytë njerëzve, për të cilën u çmendën se si ka qenë e mundur që ekzistonte ky kod, ligj i pashkruar e që vazhdoi aq shumë shekuj. Por, ato ide, për hakmarrjen, kanë ardhur nga baladat e vjetra, të cilat Kadareja i ka përdorur shumë bukur për të treguar se çfarë zakonesh kanë ekzistuar në të kaluarën në Shqipëri.

Me këtë ju thoni se mitet e vjetra ballkanike nuk njohin “autorësi” vendi, që Kadareja i ka shfrytëzuar për ta mbyllur veprën me moralin, kodet shqiptare?

Kryesorja që ka Kadareja në këto vepra, për të njohur botën me kulturën shqiptare është e dukshme në çdo vepër të tij novela, tregime, romane dhe eseistikë - a e dini se çfarë ka brenda; ekzistencën e identitetit të Shqipërisë. Ai gjithmonë niset nga Shqipëria, tregon ndonjë fakt, pastaj hedh një urë, shikon rreth e rrotull vendet e tjera pranë Shqipërisë, pastaj largohet dhe mbaron veprën me konkluzione globale. Kjo është forca e Kadaresë. Ai nuk shkruan letërsi provinciale, por është universal.

Çfarë përshtypje ka lënë letërsia shqipe e përkthyer te lexuesit bullgarë?

Nuk është puna të lavdëroj veten, por gjithmonë kam menduar të gjej vepra që kanë kode të përafërta me jetën tonë. Kanë një thellësi me të vërtetë dhe një forcë të pathyeshme të veprës letrare. Këto kritere i kam pasur gjithmonë parasysh. Këtu gjithmonë e them me zemër të hapur se nuk kam përkthyer vepra politike, tendencionale. Por kam marrë vepra të mira, të cilat dhe mbas 20 vjetësh a një shekulli do të lexohen përsëri.

Si i keni ndërtuar marrëdhëniet me botuesit bullgarë, duke pasur parasysh këtu vështirësitë ekonomike, kur iu duhet të të impononi zgjedhjen tuaj nga letërsia shqipe?

Në Bullgari marrëdhëniet me botuesit varen dhe nga ana ekonomike. Për këtë them se po, kam mjaft vështirësi për të çarë tregun e librit me paraqitjen e letërsisë shqiptare. E para, për një libër ne paguajmë. Nëse ka mundësi që ne t’u japim librin botuesve pa iu kërkuar para të botohet, ai vetëm e shtyp dhe merr para. Por kjo gjë nuk shkon. Përkthyesi punon me muaj mbi një libër dhe është pak qesharake që t’ua japim librin falas, dhe ata vetëm të na kërkojnë para. Por mendoj se kohët e fundit, dalngadalë kjo praktikë që ka ekzistuar do të marrë fund, sepse mendoj se letërsia artistike, ajo letërsi e mirë, nuk do të ndërpritet së shkruari dhe është e pavdekshme, sipas mendimit tim.

Cilët janë autorët që do të botoni në planet tuaja të afërta?

Tani janë dy libra nga Kongoli, për të cilat më thanë fjalë shumë të mira, por duhet t’i lexoj librat njëherë. Dhe prap do të përkthej Kadarenë. A e dini çfarë, ai ka zhvilluar dy novela në një roman të botuar nga shtëpia botuese “Çabej”. Nuk dua të shkoj në Bullgari pa marrë një ekzemplar, por nga shokët mendoj se do t’i siguroj. Bëhet fjalë për “Qorrfermanin”, të zhvilluar si roman, nëse atë që mendoj unë, Kadareja e ka zhvilluar në këtë mënyrë, jam e bindur se do të botohet menjëherë.

Intervistoi: Violeta Murati

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›