E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Do e kem derën hapur për problemet e zonës"

31/05/2005  Petrit Vasili në një intervistë për "Metropol" thekson se zgjedhësit janë partnerë në ndryshimin

Kandidati i LSI-së në zonën 35 në Tiranë, Petrit Vasili, shprehet se premtimet që kandidatët po u japin zgjedhësve janë vetëm një fushatë elektorale. Ndaj ai shprehet se puna e tij do të bazohet në takimet me elektoratin dhe me përpjekjet për zgjidhjen e problemeve.

Zoti Vasili ju jeni kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim në zonën elektorale numër 35, cilat janë prioritetet tuaja për këtë zonë?

Platforma elektorale është bazuar së pari jo thjesht në një strategji politike, pra nuk jemi këtu që të premtojmë një pafundësi gjërash, por është një platformë e bazuar në komunikim dhe organizim, krejt ndryshe të vullnetit të komunitetit me vullnetin e deputetit. Kuptohet që këto dy vullnete duhet të jenë në sinkron, pra zgjedhësit janë këta njerëz që do të zgjedhin këtë deputet dhe deputeti nuk është një përdorues i keq i votës së tyre, kjo është baza e platformës time, pra do të jetë komuniteti që imponon prioritet, imponon pëlqimin e premtimeve, është ai që e kontrollon këtë gjë dhe deputeti, së bashku me përfaqësuesit më të lartë të këtij komuniteti, arrin që të komunikojë me ta dhe të jetë sa më pranë nevojave dhe shqetësimeve të tyre. Natyrisht, realizohen dhe ato iniciativa të mëdha si, ndërtimi i një rrugë apo të prurjes së ujit 24 orë, të cilat janë iniciativa të mëdha komunitare për identitetin e zonës ku jetohet, nëpërmjet ndërtimit të marrëdhënieve kulturore brenda zonës, kur dihet se zona 35 ka një larmi realitetesh dhe është cilësuar si një zonë e mirëfilltë kryeqytetase dhe vetëm mbi këtë filozofi, krejt të re, komunikimi dhe jo thjesht duke zhvilluar takime brenda këtyre katër javëve dhe rikthim pas katër vjetësh. Kjo gjë duhet ndryshuar me themel, duke vlerësuar zgjedhësit si partnerë të zbatimit të mandatit, çdo gjë mund të bëhet krej ndryshe për zonën 35. Për sa i takon çështjeve specifike është infrastruktura, e cila është ndërlikurar mes infrastrukturës së ndërtesave dhe asaj rrugore, e cila është në nivelin mizerabël për këtë zonë. Kjo duke parë se ajo është cilësuar si një nga zonat elitare të qendrës së Tiranës. Njëkohësisht nga moria e shërbimeve të munguara, është situata e krijuar nga problemet e legalizimeve apo të pronësisë së banesave të qytetarëve. Ky është një problem tjetër për riorganizimin urban. Të gjitha këto janë të zbërthyer në programin elektoral, i cili nuk do të jetë program i imi, por që do t'i drejtohet në fillim zgjedhësve, në mënyrë individuale, në mënyrë që ata të jenë të bindur që të votojnë për njeriun që do të zbatojë vullnetin e tyre.

Zona 35 ka shënuar një zhvillim të madh gjatë 15 viteve të fundit, duke shtuar kështu problemin e legalizimeve. Çfarë i premton kandidati i LSI-së banorëve të kësaj zone?

Problemi i legalizimit nuk është i shpërndarë në të gjithë zonën, por është i përqëndruar në një pjesë të saj. Zona është e lagalizuar tërësisht, por në atë pjesë është shqetësim marrja e pronësisë së banesave, hipotekimi i tyre, në një kohë që banorët kanë paguar për tokën ku kanë ndërtuar, por nuk disponojnë pronësinë me ligj të kësaj toke. Përveç probelmit të veçantë, siç ishte problemi i Kullave Havai, të cilët megjithëse patën një problem të madh mes Bashkisë së Tiranës, i cili përfundoi me të drejtën e banorëve, ky shqetësim përsëri nuk ka marrë një përgjigje nga përfaqësuesi i tyre në Kuvend, pra nga deputeti i zonës. Janë qindra e qindra familje, për të cilat nuk ka pasur asnjë lloj përgjigje nga përfaqësuesi i tyre në Kuvend. Ky është problemi, i cili ka të bëjë me pronësinë e banorëve, por që nuk ka më kohë për t'u zvarritur, pasi zgjidhjen banorët e presin nga kontrata e tyre me deputetin e asaj zone. Unë jam i bindur që larmia e problemeve në këtë zonë është shumë e madhe dhe njerëzit së bashku me sakrificën për t'u integruar në shoqërinë shqiptare mbartin me vete çështje të karakterit personal dhe familjar, pasi problemet e tyre shkojnë që nga problemet e punësimit dhe deri te problemet shëndetësore etj. Duke pasur një përfaqësues të tyrin në Kuvend, dhe me një punë të përbashkët, do të zgjidhen të gjitha problemet. Nuk është vetëm evidentimi, sjellja e platformave pranë votuesve, por është dera hapur e deputetit, ajo që do t'i japë zgjidhje shumë shqetësimeve.

Si i vlerësoni kandidatët që keni përballë në këtë zonë?

Unë kandidaturat që kam përballë i kam parë me një qetësi shumë të madhe. Kam çmuar mbi të gjitha faktin se bëhet fjalë për intelektualë. Për mua, nuk ka asnjë lloj rreziku rezultati që do të sjellin zgjedhjet, pasi nuk kam asnjë dyshim te fitorja. Por, do të parapëlqeja që nga grisja e posterave tanë aty-këtu, gjë që unë e kam marrë me qetësi, kjo është një garë, që shkon drejt një gare të njerëzve normalë, të cilët do të pasqyrojnë idetë e tyre dhe që i kërkojnë elektoratit me qetësi, pa krijuar eksese, votën. Në këtë mënyrë del dhe mesazhi që mund të bëhen zgjedhje të qeta në Shqipëri, mund të konkurrojmë në mënyrë normale të çiren sa më pak dhe të flasin gjëra konkrete sa më shumë dhe mbi të gjitha të jemi qytetarë të mirë.

Ku i mbështet LSI shpenzimet për këtë fushatë elektorale dhe ju si kandidat për deputet?

Unë faktikisht e kam thënë dhe vazhdoj ta them se LSI-ja ka një atribut shumë të madh, pra ka “fjalën“ dhe ne që kur kemi ardhur kemi zhvilluar aktivitete shumë të thjeshta, por kuptimplote. Ne kemi parë plane të improvizuara, podiume, të cilët janë shkallë pallatesh, nuk kemi parë skena, siç janë skenat e partive të vjetra me shuma marramendëse për të zhvilluar të tilla aktivitete. Mendoj që kjo lloj fushate ekonomike që kemi zgjedhur është plot me ide dhe nuk ka nevojë për pare të shumta, dhe kushdo që ka menduar të blejë zgjedhësit e tij, si dikur kolonizatorët indianët, mendoj se është një problem i madh parimor. Shqiptarët në 2005 nuk blihen me para apo blien me shou, që nga pikëpamja kualitative janë shumë të varfëra. Mendoj se janë tamam si ato moshat e rëna nga vakti dhe bëjnë tualete të rënda, si ato të vajzave të reja, ky kontrast i fortë i këtyrë shfaqjeve publike nuk ka shtuar pikët e tyre në elektorat. Duke parë mitingjet fantastike që ka zhvilluar LSI-ja, në Libofsh, në Korçë, në të gjithë vendin, me një pjesëmarrje masive, ku njerëzit nuk dalin as nga frika e pushtetit, por janë vullnetarisht, në ato podiume të improvizuara dhe me ide të qarta mendoj se bëhet një fushatë, e cila nuk ka rëndësi të ketë shumë fonde. Duke u kthyer te fushata ime, unë nuk kam se çfarë të shpenzoj. Unë jam banor i kësaj lagje dhe më mjaftojnë këmbët që të shkoj në çdo familje të kësaj zone. Po shfrytëzoj një zyrë, e cila është zyra e partisë për Njësinë 5, e cila ka marrë funksionet elektorale. Ndërkohë që LSI-ja rezulton si një parti që ka një mbledhje të kuotacioneve dhe çdo gjë që zhvillohet në bazë të tyre, ndërkohë janë me qindra vullnetarët që shpërndajë fletëpalosjet që përgatisin posterat dhe çdo gjë është ekonomizuar. Çdo gjë i është lënë syve të publikut dhe këto pyetje, të cilat janë interesante, i duhet bërë atyre kandidatëve, të cilët kanë ngritur nga 12, 13 zyra për çdo zonë elektorale që bëjnë fushata nëpër salla, që kushtojnë jashtëzakonisht shtrenjt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›