Fullani: Nuk kemi mbështetjen e duhur ligjore
FABIOLA ÇELA
Tregu bankar në Shqipëri nuk gëzon mbështetjen e duhur ligjore. Deklarata është dhënë nga vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Sipas tij, tejzgjatja pa fund e konflikteve gjyqësore ka ndikuar në mosekzekutimin e kolateralit. Përballë një situate të tillë, kreu i Bankës së Shqipërisë, Fullani, ka kërkuar që tregu bankar dhe ai financiar duhet të zhvillohen paralelisht me sistemin ligjor. Deklarata e guvernatorit u dha gjatë takimit "Tregu bankar dhe sistemi ligjor".
Kreditë
Për herë të parë janë ulur së bashku në një tryezë diskutimi gjyqtarë, prokurorë dhe juristë nga tregu bankar për të diskutuar mbi tregun bankar dhe sistemin ligjor. Gjatë këtij takimi Guvernatori i BSH-së vuri në dukje problematikat që hasin bankat. Kjo, pasi tregu financiar nuk ka mbështetjen e duhur nga ana ligjore. "Për të ilustruar pak më mirë këtë ide, mjafton të përmend se paralizimi i titullit të pronësisë, tejzgjatja e konflikteve gjyqësore të pronësisë, mosekzekutimi i kolateralit, mendoj se ndikojnë drejtpërsëdrejti në përqindjen që kredia hipotekore në veçanti dhe kredia në tërësi zënë në krahasim me vendet e tjera. E gjithë kjo problematikë, ende e pazgjidhur ligjore, ka ndikuar drejtpërdrejt në shkurajimin e mbështetjes së ekonomisë me kredi bankare", ka deklaruar kreu i Bankës së Shqipërisë, Fullani. Madje, sipas tij, sistemi bankar për aq kohë sa menaxhon depozitat e qytetarëve duhet të jetë i sigurt për evitimin e çdo humbjeje të mundshme financiare që lind nga dhënia e kredisë. Në deklaratën e tij, Guvernatori rendit edhe rreziqet që i kanosen sistemit bankar. "Shkarazi mund të them se ekziston një rrezik, i cili lidhet me llojin e monedhës; një i dytë lidhet me ecurinë e çmimeve të kolateralit; një i tretë mund të jetë edhe i ashtuquajturi rrezik operacional, e kështu me radhë. Materializimi i njërit apo disave prej këtyre rreziqeve do të sillte vështirësi për bankën", ka vënë në dukje Fullani. Por menjëherë pasi ka renditur rreziqe që mund t'i kanosen sistemit bankar, Fullani theksoi se banka që ai drejton me autoritetin e saj mbikëqyrës, e detyron sistemin bankar të krijojë fonde rezervë për çdo një lek kredi të kërcënuar. Por pavarësisht kësaj, Banka e Shqipërisë nuk ka mundësi që të ekzekutojë kolateralin dhe kjo si pasojë e sistemit ligjor. "E vetmja gjë ku Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar ndjehen të pafuqishëm, ka të bëjë me mosekzekutimin e kolateralit, ka të bëjë me një lloj pamundësie de facto të disponimit të kolateralit, sidomos kur bëhet fjalë për një kolateral në formën e pasurisë së paluajtshme", tha Fullani. Përballë një situate të tillë, Guvernatori i Bankës ka dhënë edhe alternativën e tij të zgjidhjes së situatës. "Në këtë vazhdë, tregu bankar dhe ai financiar nevojiten të ndërtohen dhe zhvillohen paralelisht me sistemin ligjor. Vetëdija dhe ushtrimi i këtyre të drejtave, gjykimi i pavarur në rast mosmarrëveshjeje, koha e arsyeshme në zgjidhjen e konfliktit, eficienca dhe shpejtësia e ekzekutimit të vendimit gjyqësor, janë garancitë më të mëdha jo vetëm për investitorët vendas dhe të huaj, por në radhë të parë për vetë tregun", ka deklaruar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.