E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltari i Kryeministrit: Rritja ekonomike 12 për qind

 

FABIOLA ÇELA

Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Shqipëria do të ketë një rritje ekonomike pozitive në 2009-ën. Vetëm për 6-mujorin e parë të këtij viti rritja ekonomike ka qenë 12 për qind. Një shifër e tillë është bërë publike nga vetë këshilltari i Kryeministrit, Petraq Milo, i cili gjatë një takimi me mediat sqaroi në detaje  projektbuxhetin e vitit 2009, si risqet dhe përparësitë që ai mbart.
A do të marrë ndonjë masë shtesë qeveria, përveç kontigjencës së parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2009?
Projektbuxheti i vitit 2009 nuk është thjesht masat e marra në kontigjencë. Projektbuxheti 2009 është një politikë tërësisht preventive, në drejtim të asaj që folëm më parë. Në planin e të ardhurave, projektbuxheti parashikon një qëndrueshmëri të të ardhurave në rritje, parashikon një politikë dhe një konsolidim të uljes së taksave dhe shkon më tej në këtë politikë, duke parashikuar që kontributet e sigurimeve shoqërore do të ulen deri në 15%. Kemi një vazhdimësi të uljes së barrës fiskale. Njëkohësisht politika e të ardhurave në vitin 2009 garanton dy momente, momentin e parë uljen e deficitit buxhetor dhe, momenti i dytë financimi në vazhdueshmëri i investimeve dhe kryesisht i infrastrukturës rrugore. Po ta shikojmë në planin ekonomik, një politikë e konfiltruar e të ardhurave publike lejon dhe mundëson një ulje të deficitit nga 3% të deficitit të brendshëm në 1%, gjë që përkthehet me mundësi më të madhe për kreditimin e aktiviteteve të tjera ekonomike, kryesisht të sektorit privat dhe e dyta mundëson më tepër financimin e investimeve të infrastrukturës rrugore, aq të domosdoshme për mbështetjen ekonomike.
Cilat janë masat e qeverisë që vendi ynë të mos preket nga kjo krizë?
Janë tri masa preventive, të cilat janë pjesë e politikës monetare fiskale dhe makroekonomike të qeverisë, duke zbërthyer në radhë të parë politikën fiskale, e cila është një politikë në vazhdimësi e uljes së barrës fiskale, e cila bën të mundur një lloj mundësie më tepër për investimet e brendshme dhe biznesin privat, për të patur më shumë mjete financiare për të financuar investimet dhe punësimin. Do të shtoja se buxheti i 2009-ës, politikat fiskale janë në vazhdimësi në radhë të parë për financimin e investimeve publike, e cila përkthehet me financimin e infrastrukturës rrugore dhe infrastrukturave të tjera në përgjithësi, që është domosdoshmërish një bazë e fuqishme për rritjen ekonomike. Do të theksoja si edhe më parë, se një hap i rëndësishëm është politika e uljes së deficitit. Kemi një politikë konstante dhe të vazhdueshme, nga 3% e deficitit të brendshëm në vitet e mëparshme kemi arritur në 1% në vitin 2009. Politikë tjetër preventive për vitin 2009 është politika monetare. Është një politikë monetare e gërshetuar me politikën  fiskale, prodhimi i së cilës është kontrolli i inflacionit. Shqipëria sot ka një inflacion prej 2.9%, në një kohë që vendet e rajonit e kanë minimalisht dy herë apo tri herë më shumë. Politika e mbrojtjes së kontrollit të inflacionit, në radhë të parë është politikë mbështetëse për shtresat, të cilat janë më të prekura nga ndikimet inflacioniste, por njëkohësisht nuk duhet të harrojmë se është një mbështetje kryesore për zhvillimin ekonomik dhe sidomos të investimeve të huaja. Së dyti, është kontrolli dhe forcimi i kontrollit të sektorit bankar ndërmjet masave për të rritur më shumë transparencën dhe kryesisht për të rritur dhe kontrolluar kreditë, pasi një nga shkaqet e krizës ka qenë dhënia e kredisë personave që nuk kanë punë, nuk kanë të ardhura, nuk kanë pronë. Pikërisht forcimi i këtyre rregullave garanton qëndrueshmërinë ose dhënien e kredisë në aktivitete që mbështesin rritjen ekonomike. Së treti, do të theksoja se një nga drejtimet kryesore të daljes ose të preventivit të krizës është rritja ekonomike. Shqipëria aktualisht në 6-mujorin e parë ka një rritje ekonomike prej 12% dhe përsëri vazhdon të planifikojë për vitin 2009 një rritje pozitive dhe të qëndrueshme ekonomike, në një kohë që vendet e rajonit kanë një rritje më të ulët ekonomike, ose vende të tjera mund të kenë dhe ngadalësim të rritjes ekonomike. Faktorë të rëndësishëm janë pikërisht politikat e infrastrukturës rrugore, investimet e huaja në sektorët e energjisë, të infrastrukturës. Do të shtoja gjithashtu zhvillimet e fundit në bujqësi dhe mbështetja direkte e bujqësisë, qoftë me investime nga buxheti i shtetit, qoftë me investimet e huaja, e cila është konkretizuar në radhë të parë me rritjen e prodhimit bujqësor, masat preventive për mbrojtjen ndaj katastrofave dhe përmbytjeve, njëkohësisht dhe mbështetja direkte e fermerit, qoftë me sistemin e ujitjes dhe të kullimit, po ashtu dhe me programe të veçanta, të cilat janë ujitja me pika, mbrojtja e ullishtave dhe vreshtarisë, duke menduar se Shqipëria ka potenciale të mëdha për rritjen e këtyre prodhimeve bujqësore.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë kemi një rritje të kredive të pashlyera, pra të kredive të këqija. E konsideroni shqetësuese këtë?
Sigurisht që kreditë e këqija nuk janë të favorshme, por ne duhet të kemi parasysh një fakt, që volumi apo niveli i kredive të këqija në Shqipëri përgjithësisht mbetet në nivele shumë të ulëta, të kontrollueshme dhe unë do të thosha që është nga më të ulëtat në rajon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›