E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Ujësjellësit, debitorët më të mëdhenj të OSSH

 

Ujësjellësit janë debitorët më të mëdhenj të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Gjatë analizës së punës 10-mujore të OSSH-së, ministri i Energjetikës, Genc Ruli u shpreh: "Për muajin tetor pjesa më e madhe e faturave të papaguara janë të ujësjellësve", tha Ruli. Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se gjatë periudhës korrik-tetor ka një përmirësim në arkëtimet familjare me 4.32 për qind dhe arkëtimet private me 3.41 për qind. Ndërkohë që arkëtimet e institucioneve buxhetore janë rritur vetëm me 0.82 për qind dhe arkëtimet në jobuxhetore kanë patur rënie me 8.48 për qind. Megjithatë arkëtimet totale shënojnë një rritje prej 2.53 për qind. Ndërkohë për sa i përket humbjeve të energjisë në rrjet, bilanci i OSSH-së për këtë periudhë tregon një përmirësim të dukshëm, duke kaluar në 27.32 për qind nga 34.47 për qind që ishin në gjashtëmujorin janar-qershor, ndërkohë që humbjet e parashikuara në plan llogariten në 26.91 për qind. Dy janë treguesit kryesorë që OSSH-ja duhet të përmirësojë deri në fund të vitit. Eshtë pikërisht rritja e nivelit të arkëtimeve dhe ulja e nivelit të humbjeve të energjisë elektrike. Një kërkesë e tillë është bërë edhe nga ndërkombëtarët e FMN-së, sipas të cilëve OSSH-ja duhet të përmirësojë edhe më shumë këta dy tregues. Ndërkohë për sa i përket vendosjes së matësve elektrikë, burime pranë OSSH-së kanë deklaruar se po vazhdohet puna gradualisht edhe me vendosjen e matësve në zonat në të cilat ato mungonin. Sipas drejtuesve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, brenda këtij viti do të përfundojë procesi i vendosjes së matësve për abonentët. Aktualisht janë kompletuar me matës 65 deri në 70 mijë abonentë, nga 80 mijë abonentë që është kriteri i vendosur për t'u plotësuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›