E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosch: Duhet administratë pluraliste për të gjitha partitë

 

Kodi i ri Zgjedhor nuk përplas vetëm partitë në vend, por edhe OSBE-në. Dy herë brenda të njëjtës ditë, misioni i OSBE-së ka dhënë dy deklarata të ndryshme lidhur me debatin e fundit mes partive të mëdha dhe atyre të vogla për Kodin Zgjedhor. Fillimisht shefi i misionit të OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosch, është shprehur se duke iu referuar rekomandimeve të tre viteve më parë, duhet hartuar një kod gjithëpërfshirës dhe jo diskriminues. Sipas tij, Kodi i ri nuk është saktësisht një dokument i shkëlqyer. "OSBE/ODIHR bëri disa rekomandime në 2005-ën, që ishin arritja e një administrate pluraliste gjithëpërfshirëse dhe të gjitha partitë politike duhet të konkurrojnë me njëra-tjetrën në baza të barabarta. Çdo element diskriminues për to duhet përjashtuar nga Kodi Rlektoral. Për këtë arsye shpresoj që drafti i Kodit të ri Elektoral do të diskutohet gjerë e gjatë, së pari në Komisionin e Ligjeve dhe pastaj në Parlament. Mendoj se ka shumë gjëra që mund të diskutohen në draftin aktual, sepse nuk është saktësisht një dokument që mund ta quaj të shkëlqyer", u shpreh Bosch. Kreu i misionit të OSBE-së sqaroi se Kodi nuk ka përfunduar akoma dhe ka ende vend për diskutime. Lidhur me numrin e komisionerëve, ai tha se ky nuk është në listën e rekomandimeve. "Sa për reduktimin e numrit të komisionerëve nuk e kemi rekomanduar. Donim ta bënim në fillim, sepse përfaqësimi i partive politike ishte paksa i tepërt", vijoi më tej Bosch. Por në një deklaratë zyrtare OSBE-ja sqaroi dy orë pas deklaratës së Bosch se Kodi i ri përbën një arritje. "Prezenca e OSBE-së përsërit sërish se është e mendimit se drafti i Kodit Zgjedhor, i cili është përgatitur nga vetë shqiptarët, është një arritje, por se ai ka ende nevojë për t'u akorduar më mirë. Për këtë arsye, ai duhet të diskutohet në forumin e duhur nga partitë, por pa presion nga ndonjë grupim. Prezenca e OSBE-së thekson sërish se Kodi, si në çdo demokraci, do të jetë vendim i Parlamentit shqiptar", thuhet në njoftimin për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›