Berisha prish kontratën e Nanos për fluturimet ajrore
Marrëveshja parashikon që, firma koncesionare, të heqë dorë nga eksluziviteti i fluturimeve civile në Shqipëri
TIRANË - Monopolizimi i të gjitha fluturimeve ajrore civile nga një kompani e vetme në Shqipëri, duhet të marrë fund. Kjo sepse aeroporti i Kukësit, i cili tashmë ka mbaruar, por edhe aeroportet që pritet të ndërtohen në Sarandë e Vlorë, rrezikojnë të mos fillojnë asnjëherë punë. Kjo kontratë ishte firmos në kohën kur kryeministër ishte Fatos Nano dhe është kundërshtuar ashpër nga opozita e atëhershme që kryesohej pikërisht nga maxhoranca e sotme.
Qeveria pritet të fillojë negociatat me kompaninë që ka marrë me koncesion aeroportit “Nenë Tereza”, por edhe ekskluzivitetin e të gjitha fluturimeve civile mbi territorin shqiptar. Ajo do të kërkojë heqjen e ekskluzivitetit që ka kompania e huaj mbi fluturimet civile në vend. Deklarata në fjalë u bë nga Kryeministri Berisha gjatë Konferencës Ekonomike, të zhvilluar dje në Tiranë nga “The Economist”. Sipas Berishës, palët kanë rënë dakord që të marrin një kompani të huaj që do të vlerësojë dëmet e heqjes së kësaj të drejte, të cilat do të kompensohen nga qeveria. Ekspertët kanë vlerësuar se, heqja e ekskluzivitetit të aeroportit “Nënë Tereza”, do të mundësojë ndërtimin e tre aeroporteve të tjerë në Vlorë, Sarandë dhe Gjirokastër. Pavarësisht kësaj, Berisha, nuk bëri asnjë koment se kur do të vihet në funksion aeroporti i Kukësit, i cili prej një viti, i ka kaluar të gjithë testet që kërkohen nga ana teknike, për të kryer fluturime të sigurta. Për shkak të kontratës së lidhur me konsorciumin “Airport Partners”, ai mbetet i bllokuar, duke mos i dhënë mundësi qytetit të Kukësit që të ketë një rigjallërim ekonomik që mund t’i vijë për shkak të rritjes së fluksit të transportit.
Deri tani nuk ka pasur asnjë nismë serioze për vënien në përdorim të këtij investimi, i cili për pozitën gjeografike që ndodhet, mund të shërbejë edhe më gjerë se Shqipëria. Që nga qershori i vitit 2006, ky aeroport është në pronësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil të Shqipërisë. Një ndër pikat e marrëveshjes, midis Qeverisë Shqiptare dhe konsorciumit të huaj, parashikon se, të gjitha fluturimet ndërkombëtare, për një periudhë 20-vjeçare, do të realizohen vetëm në Aeroportin e Rinasit. Kjo pikë e kësaj marrëveshjeje nxjerr jashtë loje aeroportin e Kukësit, për ndërtimin e të cilit janë shpenzuar 30 milionë USD, donacione nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ky aeroport është i Kategorisë C, me gjatësi të pistës 1 900 metër dhe gjerësi 70 metër. Ai përbëhet nga terminali i pasagjerëve, kulla e drejtimit, pista , brezi anësor jeshil i pistës, vendqëndrimi i avionëve për 6-7 avionë të tipave të ndryshëm, rrugët lidhëse, sistemi i ndriçimit, sistemi i ndriçimit të ulje ngritjeve, rrethimi i aeroportit me një gjatësi afërsisht 5.000 metra, si dhe vendparkimi i mjeteve private.