E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen me heroinë, pranga dy personave në Elbasan

Elbasan-Policia e Elbasanit ka arrestuar dy persona, pasi gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin iu gjet një sasi droge e llojit kokainë. Ndalimi i tyre u bë në kuadrin e një operacioni të koduar me emrin “Skampa”, ndërkohë që policia bën me dije se për ta ishin marrë paraprakisht informacione në rrugë operative.

“Në pranga u vunë shtetasit Dritan Hamolli, 31-vjeç, lindur në Pogradec e banues në Babrru të Tiranës dhe Edmond Memelli, 41-vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr. 2, në Pogradec”- thanë burimet policore, duke shtuar se operacioni është bërë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

Arrestimi i tyre u bë sepse nga kontrolli i bërë në orën e natës, në automjetin tip Pezho me targë TR 5077 P, në pronësi të Dritan Hamollit u gjet një sasi prej 247 gram kokanine. Droga u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, kurse dy personat u shoqëruan në komisariatin e Elbasanit.

Mbi ta rëndon akuza e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në bashkëpunim. Ende nuk ka të dhëna për vendin e marrjes së drogës dhe destinacionin e saj, ndërkohë që grupi hetimor po merr në pyetje të ndaluarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›