Kroatët e Dinamos, në shënjestrën e drejtuesve
Duket se performancat jo të mira të skuadrës kampione në fuqi, Dinamo, gjatë fillimit të sezonit 2008-2009 nuk i kanë bindur drejtuesit blu. Në fakt, nëse ka presidencë që qëndron larg problemeve mediatike dhe opinionit sportdashës në përgjithësi, është ajo e Dinamos, ku presidenti Besnik Sulaj dhe zv/presidenti Avni Braçe nuk preferojnë të dalin në media të ndryshme për t'u prononcuar. Por gazeta ka mundur të sigurojë burime të sigurta afër presidencës blu, të cilat bëjnë të ditur një revolucion në kampin dinamovit. Në qendër të vëmendjes janë lojtarët kroatë të ardhur këtë sezon te Dinamo. Burime të sigurta pranë drejtuesve blu bëjnë të ditur se performancat zhgënjyese nga ana e tyre në javët e para të kampionatit do të shoqërohen me spastrime gjatë muajit janar, kur do të hapet zyrtarisht merkatoja e futbollistëve. Të parët që mund të largohen janë lojtarët kroatë. "Shkëndijën" e parë e dha lojtari i afruar gjatë verës te blutë, Zedi Ramadani, cili, pasi nuk i bindi drejtuesit blu, u largua në mënyrë misterioze përpara ndeshjes së Superkupës ndaj Vllaznisë. Madje po të njëjtat burime bëjnë të ditur se presidenca dinamovite ka rezerva edhe kundrejt trajnerit kroat, Zllatko Daliç, pasi gjithçka deri tani i është besuar këtij tekniku, i cili afroi në skuadër lojtarët që dëshironte, por deri tani rezultatet janë duke munguar në ato nivele të kërkuara nga emri i madh i Dinamos. Forma e dobët e demonstruar nga lojtarët kroatë duket se ka lënë për të dëshiruar te drejtuesit dinamovitë, të cilët me sa duket nuk janë aq pasivë në punë e tyre dhe tashmë kanë mbikëqyrur gjithçka, duke krijuar një ide më të qartë rreth revolucionit që do të bëjnë në janar, kur patjetër do të futen fuqishëm në merkato për të forcuar skuadrën me elementë të spikatur. Duke iu referuar prononcimeve të trajnerit Daliç,mbase presidenca dinamovite mund të ketë të drejtë në irritimin e saj. "Lojtarët e ardhur gjatë merkatos së Dinamos vijnë nga një mungesë e theksuar aktivizimi. Pra, duke i marrë një nga një, Petriçeviç, Haliloviç dhe Jusufi, vijnë nga një periudhë jo e pasur, ku nuk janë aktivizuar siç duhet në pjesën e fundit të sezonit 2007-2008,"- ka deklaruar kohë më parë, gjatë një speciale për gazetën, trajneri kroat i Dinamos. Në fakt, puna për drejtuesit e Dinamos mund të jetë pak e vështirë, duke pasur parasysh se pistat për të rikthyer sulmuesin Pero Pejiç dhe mbrojtësit Dario Bodrusiç janë të mbyllura. Të njëjtat burime të gazetës bëjnë të ditur se Pejiç, që aktivizohet në Austri te Kapfenbergu, ka pësuar një këputje të ligamenteve të gjurit prej gati dy javësh dhe do një kohë të konsiderueshme për t'u riaftësuar. Ndërsa mbrojtësi Bodrusiç ka një kontratë 3-vjeçare me Rijekën dhe, duke qenë lojtar titullar, është e vështirë të rikthehet në kampionatin shqiptar. Por një gjë është e sigurt: ata do të ndërhyjnë fuqishëm gjatë merkatos së dimrit, duke afruar lojtarë kualitativë, të cilët duhet të bëjnë diferencën nga ata që Dinamo ka aktualisht. Duke parë këtë revolucion që po përgatitet në kampin blu, tani tifozeria dinamovite ka filluar të shpresojë për rikthimin e një Dinamoje konkurruese dhe elitare, si ajo e vitit që shkoi.