E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza globale rrezikon investimet në Shqipëri

Deklaratave të kryeministrit për investime, u janë përgjigjur ekspertët e bankave me mungesën e parave

TIRANË - Ritmet e investimeve në Shqipëri, pritet të pësojnë rënie në muajt në vazhdim. Paralajmërimi ka ardhur nga drejtori ekzekutiv i një prej bankave private në Shqipëri, Oliver Whittler, në tryezën e tretë të rrumbullakët të biznesit me qeverinë, zhvilluar dje në Tiranë. Sipas tij, qeveria shqiptare nuk mund të përmbushë investimet e parashikuara në një kohë të shkurtër, vetëm me të ardhurat e saj, pa financimin e bankave ndërkombëtare.

Investimet

Megjithëse kryeministri Berisha ka deklaruar se në muajt në vazhdim do të përfundohen investimet e nisura dhe se do të hapen kantiere të reja ndërtimi, situata më e fundit ekonomike si, falimentimi i disa bankave në SHBA dhe ekzistenca e një paniku në sistemin bankar botëror, nuk e favorizon mbështetjen nga këto të fundit të investimeve në fjalë. Për pasojë, qeveria, ose duhet të rrisë buxhetin e saj të parashikuar për përfundimin e tyre, ose duhet të bëjë ngrirjen e tyre deri në një normalizim të situatës ekonomike dhe stabilizimin e sistemit bankar. Gjatë fjalës së tij si pjesëmarrës, edhe kryeministri Berisha ka pranuar se efektet e ngadalësimit të rritjes ekonomike të vendeve fqinje do të jenë të pashmangshme për ekonominë e vogël të vendit tonë. Sipas tij, efektet e krizës që po kalon bota, do të ndihen jo vetëm në investime, por edhe tek të ardhurat e emigrantëve. “Ne nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të vazhdojmë punën tonë për krijimin e lehtësive për investitorët, pavarësisht asaj çfarë po ndodh në tregjet financiare ndërkombëtare”, - deklaroi Berisha.

Emigrantët

Duke analizuar situatën në vendet perëndimore, ku kriza në fjalë ka përfshirë edhe ekonomitë e vendeve më të fuqishme, krahas atyre fqinjë, u shtrua pyetja se çfarë do të ndodhë me emigrantët shqiptarë, tashmë pjesë e tregut të punës në vendet e përfshira në vorbullën e krizës. Parashikohet se, këta të fundit, duke marrë parasysh fitimin e pakët si pasojë e krizës dhe tkurrjes së investimeve në vendet ku ata punojnë, mund të kthehen në vend me synimin për të investuar këtu. Pyetjes nëse qeveria Shqiptare ka në plan krijimin e lehtësirave në kredimarrje për emigrantët që supozohet se do të kthehen, Berisha i është përgjigjur se në fillim e ka mbështetur idenë e favorizimit të tyre në kredidhënie, por më pas është tërhequr, pasi e konsideron diskriminim ndaj kredimarrësve vendas favorizimin e emigrantëve. Një mënyrë tjetër direkt e trokitjes së turbullirës financiare botërore në vendin tonë, është edhe ulja në mënyrë të vazhdueshme e sasisë së valutës që emigrantët u sjellin familjeve të tyre në Shqipëri. Sipas specialistëve, të cilët, bazuar mbi atë ç’ka po ndodh në perëndim, parashikojnë një ulje të mëtejshme të sasisë së valutës që hyn në vend. Kjo pritet të ndikojë direkt në zgjerimin e hendekut të bilancit import-eksport të vendit. Po ashtu, për sa i përket ekonomive familjare, ulja e sasisë së të ardhurave nga emigrantët, pritet të shkaktojë uljen e fuqisë blerëse në treg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›