Bushati: Pjesë e Shpresës, vetëm ata që luajnë me klubet
Pas përfundimit të grumbullimit dyditor të kombëtares U-21, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, trajneri Artan Bushati ka mbetur pjesërisht i kënaqur nga 23 lojtarët e thirrur. Nga këta të fundit shumica thirreshin për herë të parë, ndërsa pjesa e tjetër e ekipit ishin lojtarë që kanë qenë në eliminatoret e fundit. Për trajnerin Bushati, vetëm 4 lojtarë mund të quhen të vlefshëm, por gjithsesi testi kryesor për debutuesit do të jetë miqësorja me Maqedoninë, që do të luhet më 19 nëntor në Ohër.
"Mund të them se jam pjesërisht i kënaqur, pas këtij grumbullimi që bëmë me grupin e parë, ku bënin pjesë kryesisht lojtarë nga klubet e kategorisë superiore. Në grumbullimet e tjera do të shikoj edhe ata që aktivizohen në kategorinë e parë. Ajo që mua më shqetëson, është fakti se gjatë këtij "zbori" dyditor kam parë probleme fizike te disa lojtarë. Kjo natyrisht vjen si pasojë e mosaktivizimit të tyre me klubet. Ne jemi ekip kombëtar dhe natyrisht do të thërrasim ata lojtarë që aktivizohen dhe që kanë formën e duhur për t'u ballafaquar me sukses. Kjo do të bëhet që nga miqësorja me Maqedoninë, e cila është ndeshja jonë e parë. Grumbullimet vlejnë shumë, por për mua testi kryesor për të gjithë lojtarët, përfshi këtu edhe ata që vijnë për herë të parë, është ndeshja me Maqedoninë. Kam krijuar një ide të mirë për 3-4 lojtarë të rinj, të cilat janë interesantë, por natyrisht edhe ata duhet ta tregojnë veten në ndeshje,"- deklaroi trajneri i kombëtares U-21, Artan Bushati. Ndërkohë, nga klubet e superligës, kanë shfaqur pretendime disa lojtarë, të cilët nuk ishin përfshirë në grumbullimin dyditor. Madje, e çuditshme ishte lënia jashtë e sulmuesit të Shkumbinit, Erion Mustafaj, por trajneri i Shpresave sqaron: "Të gjithë lojtarët i kam nën vëzhgim dhe, siç e thashë edhe më lart, do të ftoj ata që janë më në formë. Për sa i përket Mustafajt, ai është një lojtar, të cilin e kam ndjekur edhe në turneun e Sllovakisë me ekipin U-19. E kam thirrur në grumbullimin para përfundimit të ndeshjeve eliminatore, por ai nuk u paraqit. Kësisoj, kjo sjellje e tij nuk mund të tolerohej dhe u ndëshkua."
Kupa e Shqipërisë
Sot, ndeshjet e turit të parë, ora 14:00
Grupi A
Albpetrol - Dinamo
Iliria - Besa
Gramozi - Shkumbini
Sopoti - Vllaznia
Pogradeci - Teuta
Dajti - Apolonia
Luftëtari - Kastrioti
Laçi - Skënderbeu
Grupi B
Tepelena - Partizani
Tomori - Elbasani
Tërbuni - Tirana
Naftëtari - Flamurtari
Bilisht Sport - Bylis
Turbina - Lushnja
Skrapari - Besëlidhja
Ada - Burreli