Veliaj: Qeveria ka humbur trenin e së ardhmes
TIRANË - Aktivistë të lëvizjes G99, së bashku me studentë të shumtë që marrin çdo ditë trenin e linjës Tiranë-Durrës, udhëtuan dje për të parë kushtet e trenave dhe të transportit publik hekurudhor në vend. Kreu i kësaj lëvizjeje, Erion Veliaj, foli me disa nga studentët që e përdornin këtë shërbim në mënyrë të rregullt, sepse kjo zgjidhje, i lehtësonte ekonomikisht. Studentët treguan abonetë dyjavore që paguanin rregullisht në shumën 540 lekë për transportin hekurudhor dhe u ankuan për kushtet e trenit ku, lehtësisht, konstatohej se dritaret ishin te thyera, kabinat të rrënuara dhe dyert nuk arrinin të mbylleshin në nivelin e sigurisë gjatë udhëtimit. Gjatë rrugës, treni bëhej subjekt i sulmeve me gurë nga banorët e zonës që, shpesh, rrezikonin udhëtarët. Kushtet higjienike në tren ishin përtej çdo kufiri normal ndërkohë që, specialistët e makinerive, rrëfyen se teknologjia e trenave është tejet e vjetërsuar dhe vë në rrezik jetën e udhëtarëve, sidomos me dëmtimet që janë bërë dhe në sinjalistikën e hekurudhës. Makinistët u ankuan se puna në këto kushte kaq të vështira shpërblehej me rroga qesharake që varionin nga 15 mijë, deri në dyqind mijë lekë të reja.
Duke folur gjatë këtij udhëtimi, Veliaj tha se, qeveria ka harruar çdo premtim që ka bërë përsa i përket përmirësimit dhe modernizimit të transportit publik. "Është normale që politikanët tanë nuk përdorin kurrë transportin publik dhe që kërkojnë makina e shoferë me kushtet, në të cilat i kanë lënë shërbime të tilla për qytetarët", - tha Veliaj. Sipas tij, qeveria ka humbur, jo vetëm këtë tren ku studentët, inxhinierët, juristët dhe doktorët e së ardhmes udhëtojnë në vështirësi, por më dëshpëruese është që, kjo qeveri, ka humbur trenin e ndryshimit, trenin e së ardhmes. “Nuk mund të ketë integrim europian pa standarde në shërbimet publike si dhe një lidhje moderne dhe të mirëfilltë me sistemet e transportit të rajonit dhe Europës. Duket qartë se, siguria e jetës së qytetarëve shqiptarë, nuk është prioritet i kësaj qeverie, nuk është shqetësim i këtij kryeministri. Qytetarët shqiptarë janë ata që udhëtojnë në këto trena, fëmijët e tyre janë ata që studiojnë në konvikte, me po këto kushte dhe kjo e gjitha, është pasojë e një keqqeverisjeje të maxhorancës aktuale”, - pohoi dje Veliaj.