Berisha pritet nga Orban: BE duhet ti hapë dyert e anëtarësimit Shqipërisë

Takimi Berisha - Orban
Kryeministri Sali Berisha, i cili gjendet në një vizitë zyrtare në Hungari ka zhvilluar një takim tet-a-tet me homologun Viktor Orban. Më pas Berisha dhe Orban mbajtën një konferencë për shtyp. Retorika e përdorur nga Orban në konferencën e përbashkët për shtyp ishte një mendim paralele me atë të BE-së lidhur me çështjen e integrimit.
Orban tha se BE duhet të pranojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këtë propozim ai e mbështeti me argumentin se nga këto vende do të vijë në vitet e ardhshme potenciali më i madh ekonomik. Duke folur me superlativa për vendin tonë dhe Berishën, kryeministri i Hungarisë tha se Shqipëria është një shtet i rëndësishëm” dhe se me këtë sy duhet ta shikojë edhe Evropa.
Në qoftë se Evropa në të ardhmen do të ecë para, kjo do të ndodhë vetëm sepse ajo do të ketë partnerë potencialë nga ana e vendeve të Ballkanit, u shpreh ai. Hapi i parë do të ishte që shtetet e Ballkanit Perëndimor të hynin në Bashkimin Evropian. Prandaj, jo vetëm ne, por edhe Evropa, e ka të rëndësishme që Shqipëria të bëhet pjesë e Komunitetit Evropian.
Sa i takon marrëdhënieve dypalëshe, Orban u shpreh se ato janë të një niveli mjaft të mirë dhe se duhet punuar për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike. Lidhur me konfliktin politik mazhorancë-opozitë, Orban është shprehur se një gjë e tillë tregon se demokracia në Shqipëri funksionon.
Probleme të politikës së brendshme ka në çdo vend, por kjo nuk do të thotë se demokracia nuk është e mirë në një shtet. Sa më shumë debate të brendshme të ketë në politikën e brendshme, aq më shumë e forcojnë ato demokracinë. Unë kam frikë më tepër nga ato vende që thonë se janë demokrate dhe nuk kanë asnjë problem dhe që nuk tregojnë asnjë problem jashtë”, u shpreh kryeministri i Hungarisë. “Mendoj se Komiteti Evropian nuk duhet të rrijë larg Shqipërisë dhe nuk duhet të kritikojë Shqipërinë.
Nga ana e tij, Berisha pasi vlerësoi rolin historik të Hungarisë dhe mbështetjen aktuale ndaj Shqipërisë në integrimin në BE, ia ka shtuar se vendi ynë ofron klimë të mirë për bizneset e huaja.
Shqipëria bëhet çdo ditë e më shumë një vend me interes të veçante nga investitorët dhe ka një klimë miqësore ndaj biznesit. Në fushën energjisë, ne jemi vend i pasur në ujëra dhe kompani nga e gjithë bota po ndërtojnë hidrocentrale në Shqipëri, tha Berisha. Ne duhet të bashkëpunojmë ngushtësisht në fushën e bujqësisë dhe në të gjitha fushat e tjera.
Takimi i Berishës me Orbanin vjen në një kohë kur Evropa po kundërshton reformat e ndërmarra nga shumica absolute në Hungari. BE ka kundërshtuar ligjin e ri për median dhe reformën në sistemit gjyqësor. Orban u është kundërpërgjigjur këtyre kritikave me akuza se BE po e trajton Hungarinë si koloni.
Florenc Stafa