E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pritet të shkojë tek Topi për tu dekretuar

Kryetari Sali Berisha pritet të kërkoj sot nga Presidenti i Republikës mandatin e dytë si kryetar i Këshillit të Ministrave. Për koicidencë, shefi i mazhorancës pritet të rikonfirmohet si kryeministër në një datë interesante për supersticiozët si 09.09.2009. Në seancën e djeshme parlamentare deputetët e Kuvendit kanë bërë betimin duke marrë mandatin e deputetit. Formula e betimit është lexuar nga drejtuesi i seancës, Fatos Beja. "Betohem me nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën si deputet i popullit në Kuvend. Do të përfaqësoj denjësisht popullin, do t‘i bindem Kushtetutës dhe ligjeve, do të mbroj lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, do të respektoj dhe do të mbroj të drejtat dhe liritë e shtetasve dhe do të përpiqem me të gjitha fuqitë e mia për përparimin e Atdheut dhe mirëqenien e popullit tim", ishte teksti i betimit. Pas leximit, deputetët janë ngritur një nga një duke thënë "betohem". I pari që ka bërë betimin si deputet i Kuvendit të ri ka qenë Kryeministri Sali Berisha, i cili kryeson edhe listën e deputetëve të Tiranës dhe pas tij është betuar Aldo Bumçi, Rajmonda Bulku e kështu me radhë. Ndërsa deputetët e opozitës pritet të betohen si deputetë të Kuvendit në momentin e parë që ata do të jenë prezentë në sallën e Kuvendit. Në bazë të ligjit nëse ata paraqiten në Kuvend dhe kur t‘u kërkohet betimi nuk do të thonë "betohemi" atëherë ata humbin të drejtën e të qenurit deputetë. Ndërsa në emër të Komisionit të Verifikimit të Mandateve kryetari i përkohshëm i këtij komisioni Jemi Gjana ka informuar kolegët deputetë se në mbledhjen e zhvilluar dje paradite me anëtarët e tjerë të komisionit, pas shqyrtimit të dosjeve të të gjithë deputetëve rezulton se gjithçka është në përputhje me ligjin dhe mandatet e 140 deputetëve kanë të vlefshme. Ashtu siç kishte paralajmëruar opozita nuk ka marrë pjesë as në seancën e djeshme parlamentare, duke respektuar kështu vendimin e marrë nga Kryesia për bojkot të seancave parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›