Gazetarët, peticion Berishës për Mediun: Mos e bëj ministër
Në prag të ndërtimit të qeverisë së re, një grup gazetarësh dhe intelektualësh i dërgojnë Kryeministrit Sali Berisha peticionin e parë kundër ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu. Grupi i gazetarëve shikon si shqetësim mundësinë e përfshirjes së ish-ministrit të Mbrojtjes dhe kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në kabinetin e ri "Berisha". "Siç është e mirënjohur për publikun e gjerë, zoti Mediu është në një proces gjyqësor lidhur me tragjedinë e Gërdecit, e cila mori 26 jetë të pafajshme njerëzish dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, pa llogaritur këtu shkatërrimet materiale. Drejtësia shqiptare po heton dhe gjykon mbi përgjegjësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes", thuhet në peticionin e gazetarëve kundër Mediut. "Edhe pse në demokraci parimi i prezumimit të pafajësisë është e drejtë e çdo qytetari, përfshi këtu kjo dhe për zotin Mediu, duke gjykuar natyrën thellësisht politike të institucionit të qeverisë së të gjithë shqiptarëve, ne gjykojmë që prania në kabinetin "Berisha" e zotit Mediu, paraqet një problem të rëndë moral dhe politik", është përmbajtja e letrës drejtuar Kryeministrit Berisha. Grupi i firmëtarëve të peticionit thekson se deri në përfundim të procesit gjyqësor që po heton mbi përgjegjësinë e zotit Mediu, në tragjedinë e Gërdecit dhe zyrtarëve të tjerë, kryetari i PR-së të qëndrojë jashtë kabinetit ministror. Kjo cilësohet si minimumi i mundshëm që shoqëria shqiptare të jetë e qetë se kemi të bëjmë me një qeveri të përgjegjshme dhe me një sens normal moraliteti. "Duke mbajtur jashtë kabinetit zotin Mediu, përtej përfaqësimit të tij politik apo mandatit që i ka dhënë partia e vet, për ta përfaqësuar në qeveri, Kryeministri Sali Berisha do të demonstronte një përgjegjësi politike dhe publike kundrejt kësaj ngjarjeje, në përputhje me angazhimet që ai ka marrë publikisht për t‘i shkuar kësaj tragjedie deri në fund lidhur me përgjegjësitë e gjithsecilit, kushdo qofshin ata", nënvizohet në peticion. Kryeministri Berisha ka dhënë ok për përfshirjen në kabinet të Partisë Republikane duke lënë në dorë të tyre të përcaktojnë përfaqësuesin e tyre në qeveri. Kryesia e PR-së ka zgjedhur Fatmir Mediun si ministër të Mjedisit, ndërkohë që Kryeministri Berisha ka pranuar Mediun si ministër në kabinetin e tij të ri. Çështja tashmë, ngelet në dorën e Presidentit Bamir Topi. Emrat e ministrave të rinj do të shkojnë në Presidencë për t‘u aprovuar dhe dekretuar nga kreu i shtetit.