E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, pritje për NATO-n, mungon Presidenti Topi

Kryeministri Sali Berisha dha në ambientet e Pallatit të Brigadave, një pritje me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ku merrnin pjesë përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, zv/kryeministri z. Genc Pollo, ministra, deputetë, përfaqësues të partive politike në vend, si dhe kabineti i këshilltarëve. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shprehu mirënjohjen më të thellë të gjitha vendeve anëtare të NATO-s, për solidaritetin dhe ndihmën e jashtëzakonshme që ata kanë dhënë për Shqipërinë. "Sot ne festojmë një eveniment, i cili 20 vjet më parë ka qenë i paimagjinueshëm. Unë dua t‘ju siguroj ju se ne nuk kemi fjalë me të cilat mund të shprehim mirënjohjen që ju meritoni, për solidaritetin e jashtëzakonshëm që i keni dëshmuar këtij vendi dhe këtij kombi, në përpjekjen për ndërtimin e shoqërisë së lirë, shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut", u shpreh Berisha. Një mirënjohje shumë të veçantë, tha ai, unë dua t‘i adresoj sot qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kombit të madh amerikan, Presidentit Obama dhe ambasadorit Uithers, ndihma e të cilëve ka pasur një rol përcaktues për shndërrimin në realitet të këtij projekti të madh për kombin tonë. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria ndodhet përpara një testi shumë të rëndësishëm, siç janë zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, por theksoi se me një frymë konstruktive bashkëpunimi me të gjitha forcat politike në vend do të bëhet çdo gjë që ky proces të jetë një proces i denjë për një vend anëtar të NATO-s.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›