Topi: Nuk influencoj në hetimet e Ina Ramës
Kreu i shtetit, Bamir Topi, deklaroi dje se nuk ka pasur asnjë lloj tendence për të influencuar në hetimin e prokurorisë për ato çka janë cilësuar skandale të mazhorancës. Në një intervistë për televizionin "Ora News", Presidenti i pyetur për deklaratat e Kryeministrit Berisha se "prokuroria po përdoret si një parti politike", tha "nuk kam dëgjuar që të ketë një vlerësim të drejtpërdrejtë. Ndoshta një analizë mund të aludohet". Unë ju siguroj, insistoi ai, që qoftë në natyrën time, qoftë të institucionit, deklaratat publike kanë qenë mjaft lakonike, por shumë të qarta, që interesi më i madh i institucionit të Presidentit, është rritja e autonomisë, brenda raporteve ligjore të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe absolutisht nuk ka pasur raporte të tjera. "Do të vazhdoj të prononcohem në funksion të plotësimit të këtyre institucioneve, të punës që duhet të bëjnë prokurorët, Prokuroria e Përgjithshme dhe prokurorët e thjeshtë në funksion të realizimit të drejtësisë, të cilën ne e dëshirojmë të gjithë", theksoi Topi. Nuk mendoj, vijoi ai, që mund të ketë aludime rreth këtyre raporteve, sepse më shumë se çdo institucion tjetër, institucioni i Presidentit është shumë i monitoruar. "Mund t‘ju siguroj se nuk ka pasur absolutisht asnjë lloj tendence. E rëndësishme është që drejtësia të lejohet që të punojë, por nga ana tjetër dhe vetë drejtësia duhet të punojë, detyrat janë të qarta, e përsëris, të forcojë integritetin moral dhe nga ana tjetër të rrisë profesionalizmin", insistoi Topi. Në vlerësimin e Presidentit, gjithçka tjetër duhet të bëhet brenda kornizave ligjore dhe eksperienca ka treguar dhe do të tregojë që ky institucion asnjëherë nuk do të interferojë në asnjë lloj çështjeje. Topi sqaroi se raportet midis institucioneve janë mjaft të përcaktuara në linjat e funksionimit ligjor. "Përtej formatit ligjor, Presidenti, qoftë me kryeprokuroren, qoftë me përfaqësues të ndonjë institucioni tjetër nuk mund të bëjë asnjë bisedë tjetër. Në zyrë dhe jashtë zyre, në pozicionin tim jam jashtëzakonisht institucional dhe absolutisht nuk merrem me probleme të tjera, që nuk më takojnë mua të merrem", garantoi Presidenti. Duke folur për zgjedhjet, Topi tha se ato rrezikohen gjithmonë nga shmangia e detyrimit ligjor dhe çdo njeri dhe çdo institucion e ka të qartë se cili është detyrimi ligjor për zgjedhjet. Por, shtoi kreu i shtetit, mesazhi im është shumë i qartë. "Besoj se Shqipëria dhe shoqëria shqiptare ka ardhur në një moment historik. Pra, sot është aleat i vendeve më të rëndësishme të botës demokratike dhe duhet ta konsiderojë ditën e zgjedhjeve në mënyrë të tillë që duhet të marrin pjesë sa më shumë në votime", u shpreh Topi. Së dyti, sipas tij, duhet patjetër që deri në momentin e zgjedhjeve të aplikojnë me urgjencë për kartat e identitetit, ata që nuk i kanë dhe, e treta, që ka të bëjë me vullnetin e tyre, që të dëshmojnë që dinë të votojnë si qytetarë të lirë të një bote të lirë. Element shumë i rëndësishëm, sipas tij, është edhe administrimi i procesit zgjedhor dhe administrimi i të gjitha përgjegjësive, që vijnë nga ky proces zgjedhor kaq i rëndësishëm sikurse janë zgjedhjet politike në vend. Topi hodhi poshtë aludimet se ka pasur përplasje mes tij dhe Kryeministrit në delegacionin shqiptar në Strasburg. "Kemi qenë në harmoni të plotë, sikurse e kërkon rregulli i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe pavarësisht nga komentet që mund të bëhen në media, ju siguroj që delegacioni ka funksionuar në mënyrë shumë serioze", tha ai. I pyetur për marrëdhëniet me Kryeministrin Berisha, Presidenti tha se "unë e kam thënë dhe herë tjetër që marrëdhëniet janë shumë institucionale dhe në këtë plan janë mjaft marrëdhënie korrekte. Dua ta përkufizoj këtu dhe besoj me kaq të gjithë ata që dëshirojnë të marrin informacion, le ta marrin atë". Të njëjtën përgjigje për marrëdhënie institucionale, Topi e dha edhe për kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe kreun e opozitës, Edi Rama. Duke folur për sistemin gjyqësor, Topi tha se "unë kam futur në diskursin tim edhe elementë të rëndësishëm të influencës ekonomike, ku gjyqet në jo pak raste influencohen pikërisht nga joshja ekonomike dhe ka pasur një sistem të tillë në një rreth vicioz".