Topalli: 30% gra në listat për deputetë të PD
Nën siglën "Shqipëria po ndryshon", nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, premtoi dje se 30% e grave në politikë do të jetë një pikë që do të zbatohet në listat e Partisë Demokratike. Kryetarja e Kuvendit zhvilloi dje një takim me gratë e të rejat në Peqin. "Ne kemi nevojë për çdo grua, për çdo zonjë. Gruaja është arkitektja e vetme e shoqërisë, e familjes, ajo është arkitekte e shkëlqyer edhe në politikë. Ndaj dhe dua që të kemi më shumë gra në politikë", tha ajo. Gjatë fjalës së saj, kryeparlamentarja shtoi se "me Shqipërinë në NATO, të tjera mundësi, të tjera shanse ka Peqini, ka Elbasani, ka Tirana dhe e gjithë Shqipëria. Ne vendin e futëm në shina dhe do të vazhdojmë me projekte të mëdha". Topalli kritikoi edhe punën e Ramës teksa tha se "shkoj në qytete të ndryshme dhe shoh që janë shtruar si këtu, në Peqin, 40 km rrugë, të paktën 7 herë më shumë se në Bashkinë e Tiranës".