E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, qeveri në dietë, kabinet të fryrë

Kryeministri ka në dispozicion 19 këshilltarë dhe ndihmës. Në tre vjet e gjysmë qeverisje ndryshon 11 këshilltarë

Eljona Ballhysa
Megjithëse e ka mbajtur premtimin për një qeveri të vogël dhe në dietë, kryeministri Berisha, nga ana tjetër, ka krijuar një kabinet të fryrë ndihmësish dhe këshilltarësh. Ndërkohë që kabineti qeveritar përbëhet nga 14 ministra, stafi i ngushtë i kreut të Ekzekutivit përbëhet nga 19 këshilltarë, të brendshëm dhe të jashtëm, ndihmës, drejtorë dhe zëdhënës. Nga njëra anë kreu i qeverisë ka ulur shpenzimet në reduktimin e numrit të portofolave ministrorë, nga ana tjetër, ka rritur numrin e ndihmësve dhe këshilltarëve, rroga e të cilëve shpeshherë arrin pagën mujore të një ministri. Ajo që të bie në sy është numri i madh i këshilltarëve për një çështje, për shembull si ekonomia. Për ekonominë kryeministri ka 3 këshilltarë. Ndërkohë që ekziston Ministria e Ekonomisë, dhe për çështje që lidhen me këtë fushë, këshilltarët e kryeministrit shpeshherë të drejtojnë te ekspertët e Ministrisë. Kjo ndodh dhe me fusha të tjera, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse dublojnë rolin e ministrive.
Kabineti
Aktualisht kryeministri Berisha ka një kabinet të përbërë nga 19 këshilltarë dhe ndihmës. Kështu, drejtor Kabineti vazhdon të jetë Arben Imami që prej vitit 2005. Posti i sekretarit të Përgjithshëm mbahet nga Gjergj Lezhja prej më shumë se një viti, pasi ky post është mbajtur nga Myqerem Tafaj, i cili aktualisht është këshilltar për çështjet e arsimit. Sektori i informimit publik dhe mediatik drejtohet nga Grid Rroji, ndërsa Juela Meçani mban postin e zëdhënëses së kryeministrit. Avenir Peka është këshilltar i kryeministrit për rendin dhe sigurinë, ndërsa Admir Drago mban postin e këshilltarit për çështje ligjore.
Lufta kundër korrupsionit, një ndër prioritetet e qeverisë “Berisha”, drejtohet nga këshilltari për antikorrupsionin, Fatbardh Kadilli. Një tjetër këshilltar i kryeministrit është Flamur Kuçi, i cili merret me çështjet që lidhen me pronat dhe territorin. Glori Husi është këshilltar për integrimin euroatlantik, megjithëse në vend ekzistojnë dy ministri që merren posaçërisht me çështje të punëve të jashtme dhe të integrimit. Petraq Milo, Selami Xhepa, Suzana Guxholli janë tre këshilltarët e kryeministrit për ekonominë. Në kuadër të nismës së kryeministrit për ta kthyer Shqipërinë në moshën dixhitale, Berisha ka shtuar në kabinet dhe një post si këshilltari për shoqërinë e informacionit, që mbahet nga Pjerin Marku. Kryeministri ka emëruar së fundi dhe Valdete Vorpsin në postin e këshilltares për bujqësinë dhe agroindustrinë, ndërsa Ylli Asllani vazhdon të mbajë postin e këshilltarit për pushtetin vendor. Kryeministri gjithashtu ka dhe këshilltare për çështjet e ujit dhe ky post drejtohet nga Enkelejda Patozi. Po kështu, kreu i qeverisë ka dhe dy ndihmës, puna e të cilëve nuk është e përcaktuar konkretisht, si Edvin Kulluri dhe Ismail Hoxha.
Ndryshimet
Në tre vjet e gjysmë qeverisje kryeministri Berisha ka ndryshuar rreth 11 këshilltarë të stafit të tij të ngushtë. Që në ditët e para të marrjes së pushtetit, kryeministri, në një ceremoni të veçantë prezantoi stafin e tij të ngushtë, shumica e të cilëve nuk ndodhen tashmë në krah të Berishës. Kështu, që në muajt e parë, Berishës iu larguan dy nga këshilltarët kryesorë, të cilët mbajtën dhe peshën e fushatës zgjedhore të 2005-s, siç ishte zëdhënësi Ermal Hasimja dhe Adri Nurellari. Më vonë u larguan dhe dy këshilltaret për diplomacinë, si Nausika Spahiu dhe Rozeta Shembilku. Po kështu u largua dhe Albana Vokshi, këshilltare për ekonominë, si dhe Maxhun Peka, i cili fillimisht u emërua si shef protokolli. Besnik Aliaj ka qenë ndër të parët që iu bashkua ekipit të Berishës. Pasi nuk fitoi zgjedhjet përballë Nanos në Sarandë, Aliaj u emërua këshilltar për decentralizimin, pronat dhe legalizimet, por më vonë u largua dhe ai nga kabineti. Po kështu dhe Neritan Sejaminit, i cili humbi me diferencë të vogël votash në zonën e Bllokut në kryeqytet përballë Musa Ulqinit, iu ofrua posti i këshilltarit për reformat. Më vonë mbajti për disa muaj dhe postin e drejtorit të Informacionit derisa u largua nga kabineti i kryeministrit. Berisha gjithashtu largoi dhe Enkelejd Alibeajn duke e emëruar atë ministër të Drejtësisë, pas dorëheqjes së papritur të Ilir Rusmalit. Po kështu është larguar Agri Verria, i cili mbante postin e këshilltarit ligjor si dhe Dritan Mishto, zëdhënësi i kryeministrit.

Kabineti i kryeministrit

Arben Imami – Drejtor i Kabinetit
Gjergj Lexhja - Sekretar i Përgjithshëm
Juela Meçani - Zëdhënëse e Kryeministrit
Grid Rroji- Drejtor i Informacionit
Avenir Peka - Këshilltar për Rendin dhe Sigurinë
Admir Drago - Këshilltar për Çështje Ligjore
Fatbardh Kadilli - Këshilltar për Antikorrupsionin
Flamur Kuçi- Këshilltar për Çështje të Territorit dhe Pronave
Glori Husi - Këshilltar për Integrimin Euroatlantik
Prof.Dr. Myqerem Tafaj - Këshilltar për Arsimin
As.Prof Dr.Petraq Milo - Këshilltar për Ekonominë
Pjerin Marku - Këshilltar për Shoqërinë e Informacionit
Selami Xhepa - Këshilltar për Ekonominë
As.Prof. Dr.Suzana Guxholli - Këshilltare për Ekonominë
Valdete Vorpsi - Këshilltare për Bujqësinë dhe Agroindustrinë
Ylli Asllani - Këshilltar për Pushtetin Vendor
Enkelejda Patozi- Këshilltare për Çështjet e Ujit
Edvin Kulluri- Ndihmës i Kryeministrit
Ismail Hoxha - Këshilltar i Jashtëm

Të larguarit
Ermal Hasimja
Besnik Aliaj
Dritan Mishto
Neritan Sejamini
Nausika Spahiu
Rozeta Shembilku
Adri Nurellari
Albana Vokshi
Maxhun Peka
Agri Verria
Enkelejd Alibeaj

26 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›