E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokratët hartojnë në ilegalitet ndryshimet në Kodin Zgjedhor



Eljona Ballhysa
Megjithëse demokratët e kanë vendosur si përparësi përfundimin e reformës zgjedhore brenda muajit shtator, deputetët e kësaj partie nuk kanë asnjë informacion për propozimet e PD-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Deputetët e PD-së shprehen se gjithçka është në dorë të kryeministrit Berisha dhe drejtuesve të lartë të partisë. Burimet bëjnë të ditur se aktualisht me reformën zgjedhore është duke punuar vetëm kryetari i Komisionit të posaçëm Parlamentar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Ilir Rusmali. Gjatë muajit gusht, Rusmali ka qenë ndër të paktët deputetë që ka frekuentuar zyrën e tij në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Burimet, gjithashtu, konfirmojnë se Rusmali është duke përgatitur draftin e Partisë Demokratike për ndryshimet në Kod. Megjithatë, ai nuk bën të ditur asnjë detaj nga ky projekt. Duket se PD-ja do të vazhdojnë praktikën e ndjekur gjithmonë prej saj, miratimin e propozimeve të minutës së fundit. Reforma zgjedhore është ndër më të rëndësishmet që ndërmerret nga Kuvendi i Shqipërisë, pasi jo vetëm se prek interesat e forcave politike shqiptare, por dhe interesat e publikut, i cili kërkon që vota e tij të lexohet drejt. Megjithatë, kjo reformë është realizuar gjithmonë me nxitim nga politika shqiptare dhe në bazë të marrëveshjeve të dy partive kryesore politike. Duket se kjo do të ndodhë edhe kësaj radhe.
Komisioni
Në përfundim të sesionit parlamentar, Kuvendi miratoi ngritjen e Komisionit të posaçëm Kuvendor për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ky komision arriti të zhvillojë gjatë sesionit të kaluar vetëm disa mbledhje të fshehta, shumica e të cilave u zhvilluan vetëm me praninë e përfaqësuesve të dy partive kryesore dhe larg syve të medias. Pritet që në fillim të sesionit të ri parlamentar ky komision të zhvillojë mbledhje intensive gjatë gjithë muajit shtator. Objekti i këtij komisioni është pasqyrimi në Kodin Zgjedhor të ndryshimeve që u miratuan pak kohë më parë Kushtetutës, siç është ndryshimi i sistemit zgjedhor nga proporcional i përzier me maxhoritar, në proporcional rajonal. Ndryshimi i kësaj dispozite në Kodin Zgjedhor do të sjellë medoemos ndryshimin e disa dispozitave të tjera që lidhen më mënyrën e llogaritjes së votave për kandidatët, numërimi i tyre, mbledhja e përqindjeve etj. Po kështu, Komisioni do të vendosë dhe për përbërjen e komisioneve vendore zgjedhore dhe rolin që do të luajë Komisioni Qendror Zgjedhor, i cili tashmë nuk është më institucion kushtetues.
Partitë
Aktualisht partitë janë duke menduar për mënyrën e përfaqësimit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kështu, po mendohet për koalicionet që pritet të krijohen së shpejti, federatat apo konfederatat. Të gjitha këto pritet të parashikohen në Kodin Zgjedhor, se si do të llogariten votat e partive politike që futen në zgjedhje nën siglën e një koalicioni, apo të vetme. Problemi qëndron në llogaritjen e përqindjeve për partitë e vogla, të cilat rrezikojnë të përfshihen në Kuvend me sistemin e ri zgjedhor. Sistemi proporcional rajonal favorizon më së shumti partitë e mëdha politike, ndërsa partitë e vogla kanë parë si mënyrë mbijetese futjen në koalicion me partitë e mëdha. Por edhe bashkëpunimi me të mëdhenjtë kërkon marrëveshje politike, në mënyrë që të vegjëlve t’u garantohet paraprakisht numri i posteve që do të kenë në Kuvendin e ardhshëm.

26 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›