Presidenca polake: Forum BE-Ballkan më 3-4 tetor
Nis zyrtarisht drejtimi polak në krye të familjes europiane. Në tetor forumi dhe progres raportet, në dhjetor mblidhen ministrat e Jashtëm për vendimmarrje
Polonia paraqiti dje planin e punës gjashtëmujore të Presidencës së Bashkimit Europian, që do të drejtohet prej saj nga korriku në dhjetor. Sa i takon Ballkanit Perëndimor, janë tre stacione të rëndësishme për fatin e proceseve integruese. Në muajin tetor dhe përkatësisht në datat 3 dhe 4 do të zhvillohet forumi ministerial mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Ohër. Në këtë takim do të diskutohet në lidhje me perspektivën europiane të këtyre vendeve dhe nevojën e kryerjes së reformave thelbësore. Në të njëjtin muaj, Komisioni Europian do të publikojë edhe progres raportet për ecurinë vjetore të këtyre vendeve drejt plotësimit të kritereve të Kopenhagenit. Sipas axhendës së bërë publike nga Presidenca polake, mësohet se më 1 dhjetor është përcaktuar mbledhja e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, ku do të diskutohet posaçërisht në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe do të bëhet një vlerësim mbi reformat e realizuara nga secili shtet. Gjasat, sipas analistëve, janë që, bazuar mbi raportet e progresit të vjeshtës, në dhjetor të mundet që të ketë një vendimmarrje për avancim të ndonjë shteti drejt integrimit europian dhe këtu më së shumti flitet për Serbinë, së cilës mund t’i akordohet statusi i vendit kandidat. Duke iu referuar përmbylljes së negociatave të pranimit me Kroacinë, presidenti i Bashkimit Europian, Van Rompuy, tha se nënshkrimi i traktatit të pranimit në Presidencën polake do të jetë një sinjal i qartë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. “Disa vendime të rëndësishme mund të priten nga Këshilli Europian në dhjetor, me kusht të këto vende të vazhdojnë rigorozisht zbatimin e reformave”, u shpreh Van Rompuy. Në kuadër të nisjes së Presidencës polake të BE-së, kryeministri Sali Berisha priti dje në Tiranë në një takim ambasadoren e Polonisë në Shqipëri, Irena Tatarzynska, si dhe ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, z. Ettore Sequi. Ambasadorja e Polonisë theksoi se një nga shtyllat e programit të Presidencës polake të radhës së BE-së është dhe mbetet vijimi i procesit të zgjerimit, si dhe mbështetja dhe ndihma ndaj Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në përpjekjet e tyre dhe përgatitjen për anëtarësim sa më të shpejtë.