E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëzhguesit e KE-së: “Autoritetet të marrin të gjitha masat për ti siguruar çdo votuesi kartë identiteti”



Edhe misioni i vëzhgueseve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ka vënë theksin në domosdoshmërinë e pajisjes së të gjithë shtetasve më kartë identiteti. Në një raport paraprak të bërë nga grupi i vëzhguesve, i cili për disa ditë me radhë zhvilloi një sërë takimesh me aktorë të politikës shqiptare, theksohet përgjegjësia që kanë autoritetet për të pajisur çdo qytetar me karta në mënyrë që të mos i mohohet e drejta e votës. “Delegacioni thekson se autoritetet kanë përgjegjësinë të marrin të gjitha masat e nevojshme për t’i siguruar çdo votuesi një kartë të re identiteti, në mënyrë që të sigurohet se të gjithë votuesit do të jenë në gjendje të përmbushin të drejtën e tyre kushtetuese më 28 qershor. Çështjet lidhur me kartën e identitetit duhet të zgjidhen në një mënyrë plotësisht transparente për të siguruar besimin publik, si dhe besimin e të gjitha partive politike në procesin elektoral demokratik në Shqipëri”, - theksohet në raport. Delegacioni vërejti se Kodi Elektoral i përmirësuar në mënyrë domethënëse, i miratuar në dhjetor 2008, mund të ketë një impakt pozitiv në zhvillimin e procesit elektoral demokratik. Megjithatë, për të implementuar Kodin në besim të plotë, kërkohet gjithashtu angazhim për të respektuar Kodin nga partitë kryesore politike.
Delegacioni paraelektoral thekson nevojën e mbulimit mediatik të paanshëm dhe të balancuar, veçanërisht nga transmetuesi publik (RTSH), i cili nuk duhet të ketë influencë politike. Delegacioni mirëpret pluralizmin e opinioneve në median e shkruar, por është i preokupuar nga problemi i aksesit të barabartë për të gjitha partitë politike në median e transmetuar. Delegacioni është i shqetësuar lidhur me mungesën e transparencës në financimin e fushatës elektorale nga partitë politike. Delegacioni vlerëson se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 do të jenë një test pjekurie për demokracinë në Shqipëri. Në këtë drejtim ai u bën thirrje autoriteteve në Shqipëri të implementojnë plotësisht rekomandimet e Asamblesë Parlamentare që i përmban Rezoluta e saj 1538 (2007). Delegacioni thekson se zgjedhjet demokratike nuk janë të kufizuara vetëm në ditën e votimit. Autoritetet e vendit dhe të gjithë aktorët politikë kanë përgjegjësinë të sigurojnë kushtet e nevojshme për shprehjen e lirë të vullnetit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Delegacioni pret dhe do ta ndjekë nga afër që autoritetet do të garantojnë karakterin demokratik të këtyre zgjedhjeve, siç është premtuar.
Delegacioni paraelektoral takoi kryeministrin, Sali Berisha, kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, ministrin e Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, kryetarin dhe anëtarët e KQZ-së, liderët e partive politike që marrin pjesë në këto zgjedhje, përfaqësuesit e medias, shoqërisë civile dhe të komunitetit ndërkombëtar.

6 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›