E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha rikthehen megalo-idenë panshqiptareNga Halil Matoshi Sali Berisha, i ekzaltuar nga fitorja në zgjedhjet e fundit dhe duke parë se në Prishtinë nuk ka shtetarë me vizion, i lejoi vetes pak aventurë politike për të mbledhur pak shkëlqim heroik.

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha rikthehen megalo-idenë panshqiptareNga Halil Matoshi

Sali Berisha, i ekzaltuar nga fitorja në zgjedhjet e fundit dhe duke parë se në Prishtinë nuk ka shtetarë me vizion, i lejoi vetes pak aventurë politike për të mbledhur pak shkëlqim heroik. Ai përmes një deklarate për bashkim kombëtar trazoi shpirtin e ballkanasve. Shqipëria është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën e pavarur, madje në dy seri, pra si entitet sovran politik, së pari më 1991 dhe së dyti më 2008.

Shqipëria po ashtu ka qenë faktor stabiliteti në rajon që nga rënia e diktaturës komuniste e këtej dhe në krijimin dhe zbatimin e këtyre politikave të durueshme dhe të qëndrueshme ka luajtur rol të madh edhe vetë Berisha, kryeministri aktual.

Kosova është një shtet i kontraktuar mes SHBA dhe BE dhe, i vënë nën një mbikëqyrje të Brukselit, me gjithë evoluimet cilësore politike, pasi Kosova është njohur si shtet i pavarur dhe sovran nga shtetet e veçanta e jo si pavarësi e mbikëqyrur dhe me gjithë faktin se ajo ka miratuar Kushtetutën e saj. Pavarësia e Kosovës, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, është rezultat i tri parimeve të panegociueshme të Grupit të Kontaktit, që e derivuan Pakon Ahtisaari dhe e dërguan Kosovën në pavarësi, (nuk ka kthim në periudhën para vitit 1999; nuk ka ndarje të Kosovës dhe nuk ka bashkim me ndonjë shtet tjetër). Dhe këtyre parimeve ndërkombëtare Tirana zyrtare duhet t’u përmbahet, sepse, pa specifikuar asnjë teori shtet-krijuese dhe komb-formuese, kombi lind në momentin kur trupi i tij politik përmes shtetit si entitet hyn në marrëdhënie ndërkombëtare me kombet e tjera (në rastin kosovar, me anëtarësimin në OKB), prandaj çdo përzierje në këso raportesh të Prishtinës zyrtare me kombet e tjera dhe në politikat sovrane të saj jep sinjale të gabuara te bashkësia ndërkombëtare dhe krijon frikë irracionale te fqinjët se shqiptarët po ndërtojnë megalo-idenë e tyre për një shtet panshqiptar në Ballkan, gjë që do ta prishte baraspeshën gjeopolitike të krijuar me pavarësinë e Kosovës. Pra, deklarata e Berishës për një bashkim kombëtar merr përmasat e një paternalizmi edhe ndaj shtetit të pavarur kosovar, që i përafrohet pa dashje sindromës së libanizimit të Kosovës dhe kjo, tani më së paku i vlen Tiranës zyrtare. Kryeministri shqiptar ka thënë se i do shqiptarët të bashkuar dhe ekuivoku këtu është “e dua kombin të bashkuar”, për t’i ikur konotacionit të ndarjeve territoriale…

Pse Berishës tashti po i pëlqen roli i një paternalisti (i babës), rol të cilin e kishte humbur karshi Rugovës?

Sepse në Prishtinë nuk ka lider me staturë të lartë, ndërkaq ai i fitoi zgjedhjet shqiptare dhe tashti e ka më të lehtë të rritet në një hero nacional të përmasave të Rilindjes Kombëtare, sepse nuk e ka buzë rruge barrierën e quajtur Rama, që ta kualifikonte këtë intencë si shkatërruese të balancës rajonale. Berisha me deklaratën e fundit ka përfaqësuar, diqysh pavetëdijshëm, si në jermi, politikat e vjetra ekspansioniste të shekullit të kaluar dhe duke u përafruar me botëkuptimet etno-nacionaliste të fqinjëve, megalo-idenë greke dhe imperializmin serb…

Sepse “bashkimi kombëtar” i modeleve ballkanike nuk është kompatibël as me integrimet euroatlantike dhe as me hyrjen në listën e bardhë të Schengen-it. Kjo deklaratë është në diskrepancë të thellë me politikat e NATO-s, ku participon edhe Shqipëria si anëtare me të drejta të plota. A thua shqiptarët i kanë aq në dyzen të gjithë telat, saqë u ka mbetur edhe roli i trumbetimit të një megalo-ideje panshqiptare që nuk e kanë përfaqësuar asnjëherë në histori elitat politike? Dhe, kur kosovarët e morën të tyren, shtetin, (pavarësia e Kosovës si ideal i shumë brezave të kosovarëve të etnisë shqiptare), Berisha bëhet zëdhënës i teorive të përplasjeve etno-nacionaliste, ndërkaq më 1995 ai i kërkonte Rugovës që të ngadalësonte hapat e kërkesave politike te një “modus vivendi”.

Kryeministri i Shqipërisë nuk është një analist i gjeopolitikës apo studiues i politikave rajonale, që të lëshohet në komente hamendësuese ose populiste, por është burrë shteti që ka obligimet dhe përgjegjësitë e tij, si përfaqësues i një kombi që bën pjesë në OKB dhe që ka detyrime, si për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend, ashtu edhe për raportet me kombet e tjera. Prandaj, ai duhet të jetë shumë i kujdesshëm, sepse modeli i zjarrvënies në Ballkan është një ‘Deja vu’ dhe se shqiptarëve dhe Shqipërisë në ngritje e sipër, kur Perëndimi ia ka shtrirë dorën e bashkëpunimit duke i trajtuar me gjenerozitet, nuk u krijon asnjë avantazh në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare, politika populiste dhe territoriale.

Ideja e bashkimit kombëtar te shqiptarët është kryesisht e sferës emocionale, por që mban peng energjitë e kosovarëve, që të hyjnë në konkurrencë me kombet e tjera, në tregjet ekonomike, të dijes dhe vlerave kulturore. Në rajonin e Ballkanit, por edhe në tërë Evropën (u pa pikërisht reaksioni zinxhiror pas pavarësisë së Kosovës, ndonëse u cilësua si rast sui generis, në Osetinë Jugore), lidhja e gjithçkaje me gjithçka tjetër që njihet si domino-efekt, objektivisht është alfa dhe omega e baraspeshës gjeopolitike, ngase një lëvizje sado e vogël e njërës palë fut në flakë vërtet tërë rajonin dhe në këtë rast, ideja e kongresistit amerikan, Dana Rohrabacher, për “shkëmbimin e territoreve” (tri komunat serbe në veri (Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Mitrovica-pjesa veriore) me tri të tilla shqiptare në jug të Serbisë (Presheva, Buajnovci dhe Medvegja) është gjeopolitikë lufte! Po të ekzistonte në rajon një vullnet i mirë dhe raporte skandinave mes kombeve, kjo edhe mund të ishte zgjidhje, por një ide e tillë mes “ujqërve ballkanikë” (sidomos në kohën kur Serbia ka tendenca të hapura armiqësore ndaj Kosovës dhe investon në prishjen e stabilitetit të saj) është e rrezikshme, sepse fatkeqësisht nuk po e jetojmë paqen e përjetshme kantine, por në një kontekst ultra-hobbesian, ku politika konceptohet sipas raporteve mik/armik. Në këtë kontekst të vetëvendosjes së pakicave, kush mund t’u thotë pastaj shqiptarëve që jetojnë nën Maqedoni, “ne e bëmë këtë, por ju nuk keni të drejtë”, sepse, nëse parimi i vetëvendosjes vlen për serbët kosovarë dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, pse të mos vlente për pakicën e madhe shqiptare në Maqedoni?

Porse duhet ditur se si dhe kush janë kontraktorët e kombit maqedonas që lindi nga Lufta e Dytë Botërore (po ashtu komb i lindur nga konflikti) dhe të shtetit maqedonas, që lindi si rezultat i shpërbërjes së Federatës jugosllave, por në mënyrë paqësore.

Problem nuk janë megjithatë vetëm shqiptarët në Ballkan, sepse kurrë dhe askund nuk janë të përputhshëm kufijtë etnikë me ata shtetërorë, sepse pretendime të tilla kanë edhe serbët në brendësi të Kosovës, pastaj pakica shqiptare në Mal të Zi dhe në Greqi. E tash, Berisha në rolin e analistit të gjeopolitikës duhet të hedhë dritë më shumë mbi faktin se a është i gatshëm rendi aktual botëror të shkatërrojë kohezionin e katër shteteve fqinje të shqiptarëve dhe ta abrogojë pavarësinë e shtetit të pestë, Kosovës që ajo t’i bashkëngjitet trungut etnik?!

Logjika e gjërave nuk të jep shumë hapësirë për aventura të tilla.

Por ideja e “shkëmbimit të territoreve” nuk është e re. Atë e pati lançuar presidenti i ndjerë kosovar, Ibrahim Rugova, në një interviste për agjencinë austriake të lajmeve APA, të cilën e kisha realizuar personalisht më 1993. Por Serbia nuk e bëri as atëherë dhe s’e bën as sot dert shkëmbimin e territoreve me Kosovën, sepse lufta e saj njëshekullore u bë për mbajtjen e Kosovës si të tërë brenda administrimit të saj dhe ajo vazhdon ende të investojë në rikthimin e saj, tashti me mjete diplomatike, përmes GJND e pastaj duke shpresuar se në arenën gjeopolitike ndërkombëtare mund të ndodhin rrotullime apokaliptike që do t’i krijonin asaj avantazhe eventuale.

Por kjo është vetëm ëndërr me mbretër. Prandaj, ideja e shkëmbimit të territoreve pos që krijon vuajtje të sërishme njerëzore ajo shpie drejt ridefinimit të kufijve mes shteteve të Ballkanit, (që rëndom kanë prodhuar konflikte të përgjakshme të përmasave jo vetëm rajonale) dhe më duket askush normal nuk është i gatshëm për një tmerr të tillë.

Ndërkaq, bashkimi territorial i shqiptarëve në një shtet unik, do ta ndante Kosovën (duke prodhuar sërish shkatërrime, refugjatë e vuajtje.)

Duket se Berisha ka folur në një gjendje emocionale që rëndom u përshkruhet fituesve euforikë, por as ai dhe as faktori kosovar dhe tash për tash as shqiptarët e Maqedonisë nuk duan konflikte të reja. Berisha ka obligime ndaj paqes në rajon dhe botë, jo vetëm se Shqipëria është anëtare e OKB, por mbi të gjitha tashti është pjesë e NATO-s, derisa Prishtina duhet të dëshmojë se njëmend është faktor i qetësimit të rajonit dhe ajo duhet të koncentrojë të gjitha energjitë e saj në marrjen e njohjeve ndërkombëtare dhe në integrimin e brendshëm, sidomos në integrimin e serbëve kosovarë në institucionet legale të shtetit.

Prandaj, Kosova mund të mbijetojë si entitet i pavarur vetëm integrale, në kufijtë aktualë tashmë të njohur ndërkombëtarisht, pra jo si më 1995, por sikur sot, si ‘Modus vivendi’.

Dhe natyrisht të synojë integrimet euroatlantike si të vetmin interes madhor kombëtar.

Kalkulimet dhe teoritë e tjera, tezat dhe idetë e reja, (që rëndom në Ballkan janë skizofrene), pas 17 shkurtit 2008, janë thjesht projeksione pakicash inferiore por agresive, sado që duken fisnike. Janë plot sherr!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›