Një emër në tragjedinë shqiptare Nga Aleksandër MeksiVëllimi me kujtime “Vëllai i pengut” i Reshat Agajt paraqet një dëshmi rrëqethëse kundër diktaturës që meriton të lexohet. Ai bën pjesë në zhanrin e kujtimeve historike që sot janë nga më të lexuar
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Një emër në tragjedinë shqiptare Nga Aleksandër MeksiVëllimi me kujtime “Vëllai i pengut” i Reshat Agajt paraqet një dëshmi rrëqethëse kundër diktaturës që meriton të lexohet. Ai bën pjesë në zhanrin e kujtimeve historike që sot janë nga më të lexuarat, duke zënë një vend të madh në panairet e librit. Është një borxh ndaj së kaluarës, kur botoheshin vetëm dokumente të Partisë së Punës dhe të luftës, që ndryshonin sa herë që diktatori çonte te të shumtët kurbanin e radhës, botoheshin kujtimet kilometrike të “udhëheqësit të proletariatit botëror” e sende të këtij lloji. Botimet e sotme janë të shumëllojshme; dokumente të arkivave të huaja për Shqipërinë, monografi për figura të shquara apo për ngjarje të shënuara historike, kujtime, ditarë etj.
Në këtë mozaik botimesh zë vend edhe ky vëllim me kujtime apo siç e quan autori “Vëllai i pengut”, ditar i shkruar në Amerikë nga Reshat Agaj, një nga intelektualët më të njohur vlonjatë, që ndonëse njeri me moral dhe integritet të spikatur, regjimi komunist që në fillim e burgosi dhe e torturoi deri në skaj të ekzistencës. “Mëkatet” e tij ishin dashuria për atdheun, dashuria për liri dhe për drejtësi shoqërore. Mbasi e burgosën pa asnjë shkak, e torturuan në mënyrë të përbindshme si mijëra intelektualë të tjerë, veçanërisht në vitet e para të vendosjes së diktaturës sllavo-komuniste në Shqipëri, e detyruan të “arratiset” në Perëndim, i kërkuan të bëjë të pamundurën; të spiunonte të arratisurit, disa prej të cilëve ishin të afërm të tij. Dhe për të qenë të sigurt, meqë nuk i besonin, i mbajtën peng të vëllanë, një veprim kriminal i stilit mafioz, produkt i mendjeve të sëmura të Sigurimit të Shtetit. Ai ishte një vendim i prerë dhe nuk vlente asnjë kundërshtim. “Për të kishte firmosur komandanti”, d.m.th., Enveri.
Për një intelektual të spikatur, të ndershëm dhe atdhetar, një detyrë e tillë e pamundur ishte vazhdim i burgut dhe i torturave. Gjithsesi, ai pranoi, sepse ishte i detyruar, por që për asnjë çast nuk mendoi se do t’u shërbente atyre që i kishin vrarë të afërmit, i kishin sekuestruar mall e gjë, e kishin burgosur e torturuar. Dhe, sapo e nxorën në tokën e huaj, ai u dorëzua te misioni amerikan dhe u tregoi gjithçka, për detyrën që i kishin ngarkuar, për jetën e tmerrshme që kishte kaluar. Një dramë e vërtetë shkruar me thjeshtësi dhe sinqeritet që të mban peshë kureshtjen, një libër i veçantë në përmbajtje , i sinqertë, pa mllefe dhe ngarkesë politike. Ky është libri i jetës së Reshat Agajt, i njeriut që e shkoi jetën në emigracion, i përmalluar, larg njerëzve të afërt, që i vdiqën burgjeve dhe internimeve. Ndoshta për çdo historian, studiues apo krijues, ky libër do të shërbejë si lëndë e parë në njohjen konkrete të periudhës më të zezë të historisë sonë, periudhën e vendosjes dhe konsolidimin e diktaturës komuniste që për katër dekada ushtroi dhunë dhe gjenocid ndaj një populli të vuajtur dhe të shtypur deri në ekstrem. Ndonëse kujtimet janë personale, ato arrijnë në përgjithësime të mëdha. Tabloja që përshkruan Reshat Agaj është e gjallë dhe konkrete, me disa raporte dhe marrëdhënie që kapërcejnë kufijtë e absurdit. Kështu, ndonëse kishte nip ish-ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu, ndonëse e kishte shok rinie Mehmet Shehun apo ishte mik me Hysni Kapon, përsëri ujkonja e kuqe hante edhe pjellat e saj. Autori hedh një dritë tjetër për këto personazhe të historisë, por edhe për të tjerë, më pak të njohur, kriminelë të vërtetë, nëpunësit e Sigurimit famëkeq si Nesti Kerenxi apo Skënder Konica që e torturuan me sadizëm për muaj me radhë në birucat e Ministrisë së Brendshme.
Me interes janë edhe raportet e autorit me dy njerëz të shquar të letrave, me Petro Markon dhe Shefqet Musarajin. Dy shkrimtarët e njohur antifashistë, që kishin luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve, e ndjenin njësoj peshën e presionit të instrumentit të tmerrshëm të sapokrijuar, Sigurimit të Shtetit që drejtohej në fillim nga UDB jugosllave dhe më pas nga KGB ruse. Detyra e parësore e tij ishte përndjekja dhe survejimi i intelektualëve, i atyre që ishin truri dhe shpirti i një kombi. Në ato vite, por edhe më vonë, ishte fatkeqësi të mendoje dhe të veproje me mendjen tënde, ishte një “gabim” që ndëshkohej rëndë. Regjimi komunist u instalua me zjarr dhe hekur, në radhë të parë duke persekutuar dhe burgosur intelektualët .
Përshkrimi i gjyqeve të njëpasnjëshme kundër tyre dhe i burgjeve famëkeqe të tipit hitlerian, janë faqet më tronditëse në këtë libër me kujtime. Çdo njeri i arsimuar, personalitet i shquar apo i njohur dhe me reputacion, për “ djemtë” e zbritur nga mali, me jataganë e maliherë, ishte një armik potencial që duhej asgjësuar dhe lufta e vërtetë nuk qe ajo me pushtuesit nazifashistë, se këtë e bënin aleatët, por ajo kundër popullit që e kundërshtonte, kundër intelektualëve me dinjitet dhe me integritet. Slogani i “çlirimtarëve” ishte: “Bota fillon me ne”, e kaluara për ta ishte kriminale, dhe mbi gërmadhat e së vjetrës do të ndërtonin “botën e re”; të gjithë të barabartë në varfëri dhe injorancë. Përshkrimet e varfërisë dhe mjerimit janë të përmasave migjeniane, me forcë realiste sugjestionuese, që kontrastojnë më shumë nga krahasimi që bën autori me botën ku emigroi, me Kanadanë e largët dhe të ftohtë, me vendin e lirisë dhe mirëqenies. Megjithatë, dashuria për atdheun dhe të afërmit për patriotin Reshit Agaj qe brenga dhe dhembja më e madhe që e ndoqi deri në fund të jetës. Kur mendon për ato që ke lexuar, nuk është vështirë të arrish në përfundim se këtu nuk janë vetëm vuajtjet dhe persekutimi i një njeriu, por ngjarje që kaloi gjithë shoqëria shqiptare, është jeta jonë për dekada që tani na duket sikur nuk e jemi ne ata që e kemi jetuar, por të tjerë. Diktatura ishte një saç për të gjithë, që digjte dhe shkrumbonte njësoj; si poshtë, ashtu edhe lart.
Duke shkruar këto kujtime autori nuk ka pasur për qëllim të bëjë detyrën e historianit apo të shkrimtarit, megjithëse në to ka edhe histori, edhe art. Qëllimi i autorit ka qenë thjesht t’iu lërë një kujtim të afërmve që mbylli sytë pa i parë për më se tri dekada, t’u bëjë një homazh të gjithë atyre me të cilët ndau vuajtjet e burgjeve komunistë, si dhe emigrantëve politikë që u shpërndanë në botë si zogjtë e qyqes. Autori nuk merr përsipër të bëjë analiza të thelluara, por vetë-përshkruan jetën e tij dhe të fisit që ia zhbiu diktatura.
Ndaj botimeve të tilla denoncuese shoqëria e sotme duhet të jetë shumë e hapur. Por ende mungojnë strukturat që të mundësonin dhe realizonin kërkimet dhe botimet për periudhën e turpshme të diktaturës komuniste në Shqipëri, që ajo të njihet dhe të mos përsëritet.
Për të kuptuar mirë antikomunizmin dhe atdhetarinë e Reshat Agajt po japim një detaj mjaft interesant nga jeta e tij. Ai ndërroi jetë më 15 tetor të vitit 1981 në Kinosha të shtetit Wisconsi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai u përcoll me nderim në varrezat e Memorial Park në Detroit. Te pllaka e varrit shkruhej “Të Zotit jemi e tek ay do të kthehemi”. Një muaj më vonë erdhi në Vlorë testamenti i tij, ku shkruhej se Kadrija, vajza e tij dhe Astriti, djali i të vëllait, Pertefit, gëzonin secili nga 25000 dollarë amerikanë, por me dy kushte. Së pari, nuk mund të bëheshin zotërues të kësaj shume para vitit 2000 dhe së dyti, nëse jetonin më shumë se një vit në një shtet jo komunist. Ai e njihte mirë komunizmin dhe sidomos atë shqiptarë dhe krerët gjakatarë të tij. Dhe nuk u gabua.
“Mapo”