Trazirat në Kosovë dhe Preshevë, Berisha hodhi benzinën në zjarrNga DPA Këtë verë ka patur shenja në rritje të padurimit mes shqiptarëve në Kosovë dhe në jug të Serbisë, me thirrje për bashkim me Shqipërinë dhe protesta të dhunshme që kanë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Trazirat në Kosovë dhe Preshevë, Berisha hodhi benzinën në zjarrNga DPAKëtë verë ka patur shenja në rritje të padurimit mes shqiptarëve në Kosovë dhe në jug të Serbisë, me thirrje për bashkim me Shqipërinë dhe protesta të dhunshme që kanë shkaktuar trazira në rajon. Për vite me radhë situata kishte qenë relativisht e qetë. Por pakënaqësia mes shqiptarëve me komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht në jug të Serbisë dhe në Kosovë, ka shpërthyer së fundmi. Kjo pakënaqësi është ushqyer dhe nga situata e vështirë ekonomike në rajon dhe nga ajo që shihet si ndërhyrje e jashtme në çështjet e brendshme.
Dy incidente kësaj javë e kthyen vëmendjen tek aspiratat shqiptare dhe pakënaqësia me status quo-në: shkatërrimi i makinave që i përkisnin Misionit të Bashkimit Evropian për Zbatimin e Ligjit (EULEX) në Prishtinë dhe përplasjet mes shqiptarëve dhe serbëve në Mitrovicë.
Rreth 6 milionë shqiptarë jetojnë në pesë shtete - Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi. Paktet e nënshkruara në fillim të viteve 2000 sollën paqe në rajon dhe ofruan përfitime për shqiptarët që jetonin në Maqedoni dhe në jug të Serbisë.
Përveç kësaj, vitin e shkuar shumica shqiptare në Kosovë deklaroi pavarësinë nga Serbia dhe provinca arriti që të përfitojë njohje nga më shumë se 60 shtete.
Të martën, 28 makina të EULEX u shkatërruan në kryeqytetin kosovar nga anëtarë të lëvizjes ekstremiste shqiptare “Vetëvendosja”, e cila kërkon që t’i jepet fund asaj që e sheh si ndërhyrje ndërkombëtare në Kosovë.
“Vetëvendosja”, e cila ka një numër të madh pasuesish mes të rinjve të papunë, ka organizuar disa protesta të tjera në të shkuarën kundër komunitetit ndërkombëtar, të cilin grupi e vlerëson se punon kundër shqiptarëve të Kosovës.
“Institucionet e Kosovës do të jenë përgjegjëse për atë që do të ndodhë më pas, nëse rrinë në heshtje dhe lejojnë EULEX të bashkëpunojë me Serbinë, tha për agjencinë gjermane, dpa, Glauk Konjufca, një lider i “Vetëvendosjes”.
“Ajo çka ne bëmë ishte se dërguam një mesazh tek EULEX, tani është radha e qeverisë sonë. Ajo duhet të shohë bashkëpunimin me EULEX. Nëse jo, kjo do të thotë që pavarësia ka qenë e pakuptimtë”, - shtoi ai.
Agjencia “Beta” citoi një analist nga Prishtina, Behlul Beqaj, duke thënë se protesta e “Vetëvendosjes” ishte një shenjë ndaj komunitetit ndërkombëtar se “gjërat nuk janë aq mirë në Kosovë”.
“Komuniteti ndërkombëtar dhe qeveria e Kosovës janë si binjakë siamezë që jetojnë në simbiozë dhe servilizëm të ndërsjellë, dhe ky është problemi”, - citohet të ketë thënë ai.
Edhe këtë të martë pati përplasje në Mitrovicë, një qytet në veri të Kosovës që është ndarë në shumicën serbe në veri dhe në shumicën shqiptare në jug që prej vitit 1999.
Serbët dhe shqiptarët u përplasën në lidhje me rindërtimin e shtëpive shqiptare në pjesën serbe të qytetit. Disa persona u plagosën dhe rindërtimi i shtëpive është pezulluar për momentin.
Serbët ankohen se shqiptarët duan të ndërtojnë shtëpitë në pjesën e tyre të Mitrovicës, por nuk duan të lejojnë serbët që të ndërtojnë shtëpitë në pjesën shqiptare të qytetit.
“Nëse do i lëmë shqiptarët këtu, ne nuk do jemi kurrë në gjendje të çlirohemi prej tyre”, - citohet të ketë thënë një serb i Kosovës.
Në Serbinë e jugut, ku shqiptarët bëjnë një shumicë, tensionet janë shpesh të larta. Në fillim të gushtit policia serbe zbuloi një sasi të madhe armësh ilegale në një kontejner nëntokë në Bujanovc.
Bujanovc ishte fortesa e të ashtuquajturës Ushtria për Çlirimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit - një grup i armatosur shqiptarësh etnikë që luftonin kundër forcave etnike në fund të vitit 2000 e fillim të vitit 2001.
Që prej nisjes së revoltave, liderët shqiptarë në Serbi kanë kërkuar autonomi më të madhe. Ata kanë akuzuar Beogradin se i trajton si qytetarë të dorës së dytë dhe se nuk investon në jug të Serbisë, rajonin më të varfër në vend.
Armët u zbuluan në të njëjtin rajon ku disa sulme me bomba ndaj forcave të sigurisë serbe shkaktuan disa të plagosur, përfshi një fëmijë, në fund të korrikut.
Duke i hedhur benzinë zjarrit, kryeministri shqiptar, Sali Berisha, tha së fundmi se “bashkimi kombëtar i shqiptarëve duhet të jetë një ide kyçe në politikat e Shqipërisë dhe Kosovës”.
Komentet e tij shkaktuan tërmet në Serbi, ku shumica janë edhe sot e kësaj dite të pakënaqur me vendimin unilateral të Kosovës për të shpallur pavarësinë.
Zyrtarët serbë i quajtën komentet e Berishës një provokim që do të dëmtonte më tej marrëdhëniet edhe momentalisht të këqija mes shqiptarëve dhe serbëve.
“Komuniteti ndërkombëtar nuk do të përkrahë projekte pan-nacionale, dhe komentet e Berishës shkojnë në atë drejtim”, - tha Dushan Janjiç, drejtuesi i Forumit për Marrëdhënie Etnike. “Me këto komente, Sali Berisha ka bërë gabim politik e ndoshta dhe vetëvrasje politike.”
Perëndimi: Berisha shkeli vijën e kuqe
Nga Thomas Brey, dpa
Njësite të përforcuara të Misionit të Brukselit për Shtetin e së Drejtës (EULEX) siguruan të mërkurën qytetin kosovar të Mitrovicës. Një ditë më përpara pati përplasje të dhunshme mes shqiptarëve dhe serbëve. Edhe në kryeqytetin Prishtinë ekstremistët shqiptarë shkatërruan një ditë më parë një duzinë makinash të EULEX. Shkak për këtë është një diskutim në lidhje me bashkimin e shqiptarëve.
Shefi i qeverisë në Shqipërinë fqinje, Sali Berisha, një javë më parë kishte propozuar me entuziazëm bashkimin e qytetarëve të dy shteteve të pavarura e si fillim kishte deklaruar se duhet një bashkim doganor.
Në Serbi, e cila nuk e ka pranuar deri tani ndarjen e Kosovës në vitin 2008, ranë menjëherë kambanat e alarmit, edhe bota perëndimore vuri re se ishte shkelur vija e kuqe.
Një bashkim mes dy shteteve shqiptare nuk është kurrë në axhendë, ky ishte përfundimisht dhe kusht për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Për këtë arsye më shumë se 60 shtete - mes tyre shumica e vendeve të BE, SHBA dhe Japonia - kanë njohur ndërkombëtarisht këtë shtet të ri evropian.
“Çështja shqiptare”, e cila prej më shumë se 100 vitesh nuk ka një përgjigje, shfaqet sërish në axhendën e ditës. Rreth gjashtë milionë shqiptarë në Ballkan janë të ndarë në pesë shtete: në Shqipëri jetojnë 3.1 milionë, në Kosovë 2 milionë, në Maqedoni 600 mijë, në Mal të Zi 70 mijë dhe në Serbi 100 mijë shqiptarë.
Madje dhe në jug të Serbisë pati sërish dhunë. Shqiptarët sulmuan policinë serbe dhe policia speciale e Beogradit arriti gjatë javës së kaluar të kapë municione të fshehura të shqiptarëve.
Gjatë dhjetë viteve të shkuara, shumica e zonave të banuara nga shqiptarët u zhytën në konflikte. Në Kosovë, bombardimet e NATO-s ndaluan në vitin 1999 largimin masiv të mijëra shqiptarëve nga njësitë ushtarake e paraushtarake serbe. Në Maqedoni iu dha fund konfliktit shqiptar me pjesën sllave në vitin 2001 përmes një ndërhyrjeje të BE. Me ndihmën e huaj, në të njëjtin vit u ndaluan dhe revoltat shqiptare në jug të Serbisë.
Luftërat janë histori, por një paqe e vërtetë nuk është arritur ende. Shqiptarët e Kosovës janë të pakënaqur, sepse pjesa veriore kontrollohet nga pakica serbe dhe është jashtë kontrollit të Prishtinës.
Ata të Maqedonisë nga ana tjetër ndjehen të nëpërkëmbur nga bashkëqytetarët sllavë.
Shqiptarët e Serbisë së jugut duan që të largohen nga Beogradi dhe të bashkohen me Kosovën.
Edhe njëherë këtë verë u shfaq në gazeta fjala magjike “shkëmbim territoresh”- por politikanët janë shumë larg kësaj.
Problemi shqiptar duket sot “i ngrirë”, para së gjithash për shkak se bota e jashtme mund të jetojë mirë me këtë gjendje aktuale dhe nuk ka ndërmend të marrë parasysh ndonjë zgjidhje.
Por ekstremistët e organizatës “Vetëvendosje”, që shkatërruan në Prishtinë makinat e EULEX dhe që duan të kenë në radhët e tyre 10.000 të rinj shqiptarë, nuk mund të presin më.