E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ripremton internetin, Topalli kërkon dorëheqjen e Ramës

Futja në një vit elektoral ka angazhuar në maksimum mazhorancën, e cila edhe ditën e diel e ka zënë me takime të shumta në zona të ndryshme të vendit. Krerët e saj janë shpërndarë nëpër rrethe, ku kanë zhvilluar takime me përfaqësues të partive të tyre. Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë preferuar Shkodrën për të kaluar të dielën e tyre, ku janë takuar me mjaft simpatizantë të së djathtës dhe kanë prerë shiritat e disa objekteve publike. Ndërsa kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, ka zbritur në Vlorë dhe kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, në zonën e Mallakastrës.

Takimet e Berishës

Kryeministri Berisha, gjatë takimeve të tij në Malësinë e Madhe, ka premtuar se qeveria është e vendosur të vërë të gjitha rezurset për zhvillimin e zonave rurale të Shqipërisë. Sipas kreut të qeverisë, deri më tani qeveria ka investuar në Shqipërinë rurale 1.2 miliardë dollarë. Duke prerë shiritin e inaugurimit të rrugës nacionale Qendër Gruemire, Berisha tha se "ky projekt investohet nga buxheti i shtetit, me vlerë të përgjithshme 41 milionë lekë dhe ky segment rrugor lidh qendrën e Komunës Gruemire me aksin kombëtar". Berisha ka premtuar ngritjen e një parku industrial në zonën e Malësisë së Madhe dhe gjatë bisedës me banorët e kësaj zone ai ka theksuar se "ky park do të punësojë jo vetëm punëtorë dhe specialistë nga Malësia e Madhe, por edhe nga Shkodra. Ky park do të shndërrohet në një qendër të përgjithshme zhvillimi dhe investimi i tij mbi baza private e bën atë një projekt shumë serioz. Në këtë park do të ketë edhe investime e mundësi të tjera shumë të mëdha". Duke u ndalur te një nga premtimet më të mëdha që Berisha ka bërë gjatë fushatës elektorale para tre viteve, tek interneti, ai ka theksuar se "brenda muajit mars të vitit që vjen do të përfundojë instalimi i kabineteve të informatikës në të gjitha shkollat e vendit dhe më pas, hapi tjetër do të jetë shtrirja e përdorimit të internetit në çdo familje dhe kudo në komunitet".

Takimet e Topallit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë takimeve të saj në Shkodër, megjithëse ditë e diel, nuk ka lënë jashtë vëmendjes politikën dhe kryetarin e opozitës. Pasi ka renditur disa nga sukseset e qeverisjes dhe realizimin e reformave kryesore në vend, të cilat i hapën rrugë anëtarësimit të vendit në BE dhe ftesës për në NATO, Topalli nuk ka harruar pa thumbuar kryetarin e PS-së, Rama. Sipas Topallit, opozita këtë fitore e përjeton si një disfatë të sajën. Duke u ndalur te çështja "Trebicka", për të cilën opozita është shprehur shumë, Topalli tha se "Rama të kërkojë ndjesë për manipulimet e qëllimshme mbi vdekjen e Trebickës. Në çdo vend demokratik të botës, një kryetar i tillë opozite do të kishte dhënë dorëheqjen".

Takimet e Mediut

Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, në takimin e tij në Vlorë është ndalur te reforma zgjedhore. Sipas tij, "Kodi Zgjedhor duhet të miratohet sa më parë dhe me transparencë. Partitë e koalicionit

qeverisës duhet të bashkëpunojnë në mënyrë institucionale, për të sanksionuar përgjegjësit qeverisëse në të gjitha nivelet, por edhe bashkëpunimin elektoral dhe ndërtimin e një koalicioni, ku vota e shqiptarëve të përcaktojë peshën e çdo subjekti". Ne, tha Mediu, kërkojmë që Kodi Zgjedhor të miratohet sa më shpejt, se pa një kod nuk mund të ketë funksionim normal, organizativ dhe elektoral të partive politike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›