E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Tereza, 5 vjetori i Lumturimit

Plot pesë vjet më parë, më 19 tetor 2003, shqiptarja e madhe Nënë Tereza u lumturua nga Papa Gjon Pali II. "Në emër të të varfërve e të dashurisë për Zotin" nobelistja shqiptare i hyri rrugës së shenjtërimit, një rruge që pati filluar që në gjallje të saj. Një jetë e tërë në ndihmë të të varfërve, njerëzve që jetuan bashkë me vështirësitë, por që e lumturuara u dha dinjitetin në frymën e fundit. Shumë pak ka mbetur tashmë nga hapi final. Ai drejt shenjtërimit të plotë të Nënë Terezës. Papa Gjon Pali II, një njohës dhe adhurues i punës dhe vullnetit të jashtëzakonshëm të kësaj gruaje të veçantë, organizoi në Vatikan një ceremoni madhështore për Lumturimin e humanistes shqiptare. Autoportreti i Nënës terezë përmblidhet në këto fjalë: Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Po zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit. Mu besua misioni të kumtoj dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfrit ndër të varfër, mesazhin se "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t‘u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij". Në shpirtin tim, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme, të shuaja etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore".

Nënë Tereza u lumturua në vitin 2003 nga Papa Gjon Pali II, duke u bërë personi i parë për të cilën reduktohet procedura e shenjtërimit. Çështja e kanunizimit të saj u hap vetëm dy vjet pas vdekjes nga ana e Papa Gjon Palit të II-të. Më 20 dhjetor 2002 u miratua dekreti mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj. Ndërsa, më 19 tetor 2003, nga sheshi i Shën Pjetrit plot me shqiptarë të ardhur nga të katër anët e botës, Papa shqiptoi formulën e Lumturimit që e lartësonte Nënën e madhe të të varfërve të mbarë botës: Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllaut tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet "E Lume" e që festa e saj të kremtohet në vendet sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator.

Mrekullia që e kualifikoi për të ecur në rrugën e shenjtërimit, ishte shërimi i një tumori vdekjeprurës te një grua e sëmurë. Miliona katolikë po presin lajme për mrekullinë e dytë të kryer prej saj, që Nënë Tereza të konsiderohet shenjt.

Gonxhe Agnes Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12-vjeçare, ajo kishte dëshirë të bëhej misionare "për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit". Në moshën 18-vjeçare ajo hyri në Dublin në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës. Ajo nuk mund ta braktiste urdhrin e saj, pa pëlqimin e arkipeshkvit të Kalkutës, ati Ferdinand Periers, i cili nuk e vlerësonte sa duhet. "Është një fillestare që nuk do të ishte në gjendje të ndizte si duhet një qiri", mendohej të kishte thënë prelati. Nëna e saj superiore në Dublin dhe Papa kishin më shumë besim tek ajo. Dhe në fillim të vitit 1948, ajo lejohet të largohet nga urdhri. Motra Agnes bëhet atëherë Nënë Tereza për nder të shenjtores franceze Sainte-Terese e Lisieux dhe vendoset në barakat e Kalkutës. Në vitin 1952, takimi me një grua të plagosur që po jepte shpirt mbi një trotuar, me këmbët të brejtura nga minjtë, e bënë atë të ndërmerrte një nga detyrat për të cilat ajo u admirua më shumë, kujdesin për njerëzit duke dhënë shpirt. Duke kritikuar ashpër autoritetet e qytetit, ajo arriti të siguronte një ndërtesë të shekullit të 19-të, pranë tempullit Kali, Perëndesha hindu e vdekjes. Në këtë "pasqyrë" të Nirmal Hridaya, ajo do të priste ata që vuanin nga tuberkulozi, nga dizenteria, ose tetanosi. Për 40 vjet, më se 30 000 persona kanë vdekur atje. Për Nënë Terezën, garantimi i "një fundi të denjë" për ata që kanë "jetuar si kafshë" ishte një detyrë. Më pas, do të jetë Sichu Bhavan, ku janë strehuar vazhdimisht qindra fëmijë. Ndihma për lebrosët do të vazhdojë, për këta "të varfër mes të varfërve" Nënë Tereza do të hapë Shantinagar, më pas shumë vende të tjera për kurimin e tyre. Ajo u vinte gjithashtu në ndihmë viktimave të SIDA-s dhe kishte hapur një qendër për ta në Shtetet e Bashkuara. Kur i thoshin se do të shenjtërohej, ajo thoshte: "Në fillim më lini të vdes".

Kontributi

Një jetë në shërbim të të varfërve

Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës iu kushtua të varfërve dhe të sëmurëve. Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t‘i printe Kongregatës së saj dhe t‘u përgjigjej nevojave të të varfërve e të kishës. Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›