E Diel, 1 Nëntor 2026

Kule: Mos krijoni situata antiligjore

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, në një shkresë të datës 14 tetor u ka kërkuar drejtuesve të Fakultetit të Mjekësisë që "të mos krijojnë situata antiligjore me pasoja të drejtpërdrejta që vijnë nga moszbatimi i ligjit". Në përgjigjen e tij për konkluzionet dhe vendimet e marra nga mbledhja e Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë, rektori Kule shkruan se "vlerësimet e komisioneve dhe konkluzionet e tyre në çdo rast janë konsultative për drejtuesin e institucionit të arsimit të lartë, si punëdhënës". Është ky i fundit, shprehet Kule, ai që merr vendim se cili nga kandidatët do të përzgjidhet për t‘u punësuar në strukturat e Institucionit të Arsimit të Lartë detyrim dhe e drejtë kjo që buron nga ligji. "Për rastin për të cilin pretendohet nga ana juaj, shkruan rektori, kandidatja ka qenë e përzgjedhur nga komisioni vlerësues ndër tre më të mirët. Është në vlerësimin tim të përcaktoj ndër ta, pa shkelur asnjë dispozitë të ligjit për arsimin e lartë dhe Kodin e Punës, të cilin referon ky ligj, që të zgjedh njërin prej tyre, pavarësisht nga renditja që më propozohet prej komisionit të vlerësimit. Duhet kuptuar qartë, thekson rektori, se të gjitha vlerësimet janë propozim për punëdhënësin dhe jo detyrim për vendimmarrjen e tij". Më pas ai i ka vënë në dijeni drejtuesit e Fakultetit të Mjekësisë se i ka nënshkruar kontratat e punës me personelin e ri të rekrutuar në Universitetin e Tiranës, "duke përmbushur kështu detyrimin që më vë ligji për arsimin e lartë dhe Kodi i Punës". Sipas tij, në këto kushte nuk ka asnjë autoritet tjetër brenda dhe jashtë UT-së të kundërshtojë apo të vërë në diskutim vendimmarrjen për sa më sipër, aq më pak dekani apo struktura të fakultetit. Rektori Kule ka hedhur poshtë si të pavërtetë edhe pretendimin se dekani i Fakultetit të Mjekësisë është anashkaluar në këtë proces rekrutimi. "Kjo, për faktin se është përfaqësuar nga dy anëtarë të komisionit, të zgjedhur prej tij", shkruan Kule. Ai shton se "dekani ka pasur të drejtë sipas statutit, të ishte vetë pjesë e komisionit apo komisioneve të vlerësimit, por ai ka zgjedhur më të arsyeshme që të dërgojë në komisione përfaqësuesit e tij. Ndërkohë që Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë kujton se Universiteti i Tiranës nuk ka një statut të miratuar ende nga ana e Ministrisë së Arsimit. Por për këtë rektori përgjigjet: Pretendimi se ka munguar një rregullore mbi procedurën që duhet ndjekur në përzgjedhjen e emërimit të pedagogëve të rinj, është i pabazuar dhe vjen pasi ka përfunduar gjithë ky proces. Edhe pse statuti i UT-së nuk është miratuar ende nga ministri i Arsimit, ai është një statut, i miratuar unanimisht nga Senati i UT-së, përfshirë këtu votat e senatorëve të Fakultetit të Mjekësisë". Në këto kushte, vijon më tej arsyetimin e tij Kule, për efekte të rregullimit të brendshëm dhe administrimit të procesit të rekrutimit për Universitetin e Tiranës, ky statut ka efekte dhe ka qenë i gjithëpranuar. Ai i ka mëshuar faktit se "procesi i rekrutimit të pedagogëve të rinj ka qenë një proces i hapur dhe transparent, ku janë përfshirë të gjitha njësitë e Universitetit të Tiranës, ndërmjet të cilave edhe Fakulteti i Mjekësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›