Policia italiane kap 11 klandestinë shqiptarë
Autoritetet italiane kanë mundur të ndalojnë 11 klandestinë shqiptarë e kosovarë, që zbritën gjatë natës në bregdetin e tyre. Klandestinët mendohet se janë nisur nga brigjet e Adriatikut, ndërkohë që nuk dihet vendnisja e tyre. Megjithatë, autoritetet italiane thanë se shtatë prej klandestinëve janë të mitur. Sipas informacioneve nga mediat italiane, njëmbëdhjetë emigrantë shqiptarë, nga të cilët shtatë minorenë, kanë zbarkuar në brigjet italiane të Garganos në provincën Foxhia. Bëhet fjalë për shqiptarë dhe kosovarë, që u zbuluan nga forcat e Guardia Di Finanzia-s, teksa zbarkonin me një varkë me vela. Autoritetet italiane arritën të dallonin 11 klandestinët, dy prej të cilëve shqiptarë. Menjëherë, të gjithë klandestinët iu nënshtruan vizitave mjekësore dhe rezultoi se të gjithë ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Ende nuk është thënë se çfarë do të bëhet me këta klandestinë, nëse ata do të mbahen në kampe italiane apo do të deportohen drejt vendeve të tyre. Më 5 nëntor, pritet të hyjë në fuqi dhe ligji për emigrantët i qeverisë "Berluskoni", tepër i kritikuar për nxitje racizmi. Brigjet e Italisë janë të synuara nga emigrantët, pasi konsiderohen si një nga portat hyrëse për në Evropë.