E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha saboton delegacionin e Presidentit Topi ne Kosove

Tre kryetarë komisionesh të PD-së bojkotojnë udhëtimin në Kosovë. Presidenti zëvendëson emrat me mbështetësit e tij në parti

Eljona Ballhysa
Thellohen edhe më tej përplasjet e Partisë Demokratike me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Tre kryetarë të komisioneve parlamentare, deputetë të Partisë Demokratike, kanë njoftuar në çastin e fundit mungesën e tyre në delegacionin zyrtar të kryetarit të shtetit në vizitën e tij në Kosovë. Megjithëse deputetët kanë justifikuar mungesën e tyre për shkak të problemeve familjare, bojkotimi i tyre nënkupton thellimin e përplasjeve të PD-së me kreun e shtetit. Pas përplasjeve për anëtarët e Gjykatës së Lartë, Kodin Zgjedhor dhe mungesën e shumicës së ambasadorëve shqiptarë në botë, tashmë vjen dhe bojkotimi që i bëhet Presidentit nga përfaqësues të Partisë Demokratike.
Delegacioni
Zyra e Protokollit kishte hartuar listën e anëtarëve të delegacionit që do të shoqëronte Presidentin e Republikës gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë. Pjesë e delegacionit ishin kryetari i Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme, Preç Zogaj, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho si dhe kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Leonard Demi. Që të tre këta përfaqësues të PD-së me poste drejtuese në Kuvend nuk kanë shoqëruar kreun e shtetit gjatë vizitës së tij në Kosovë. Deputeti Spaho dhe Demi kanë justifikuar mospjesëmarrjen për shkak të problemeve familjare. Ndërsa mësohet se kryetari i Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj, i ka telefonuar personalisht Presidentit Topi të cilit i ka bërë të ditur arsyen e mosmarrjes pjesë në delegacionin zyrtar shqiptar gjatë vizitës në Kosovë.
Në çastin e fundit, Zyra e Protokollit ka përfshirë në listën e personaliteteve që do të shoqëronin Presidentin tre deputetë të tjerë të PD-së, si Sali Shehun, Bujar Leskajn dhe Besnik Mustafajn. Që të tre këta deputetë njihen si mbështetës të deklaruar të Presidentit Bamir Topi. Përveç tyre, Presidenti u shoqërua nga dy nënkryetarët e Kuvendit, Neritan Ceka dhe Ylli Bufi, si dhe nga nënkryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.
Përplasja
Burime informacioni brenda Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kanë bërë të ditur se shkak për këtë bojkotim është përplasja jo vetëm institucionale mes Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Topi. Këta dy personalitete i kanë treguar herë pas here “dhëmbët” njëri-tjetrit. Më të hershme janë përplasjet lidhur me ndryshimet kushtetuese apo me rrëzimin e dekreteve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Së fundmi, acarimi i maxhorancës me kthimin në Kuvend të Kodit Zgjedhor, apo mungesa e tejzgjatur e shumicës së ambasadorëve shqiptarë në botë. Tashmë përplasja e radhës ndodh vetëm pak ditë kur pritet që Presidenti Topi të vendosë nëse do të dekretojë apo jo ligjin për lustracionin, ose siç quhet ndryshe ligjin për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit gjatë regjimit komunist.

11 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›