E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Trefishohet” Fazlliç, zbardhen kontratat e vitit 2008 me “Rudnap”-in



Ndërsa zyrtarisht prokuroria është artikuluar se Damir Fazlliç është ortak në firmën “Rudnap”, e cila i eksporton energji elektrike Shqipërisë, nga ana tjetër nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, ka hedhur dje dritë mbi “thelën e luanit” që kjo kompani ka mundur të sigurojë në tregun e importit të energjisë elektrike nga Shqipëria. Braçe vuri në pah faktin se në vitet 2007-2008 kompania “Rudnap” na ka importuar energji elektrike me vlerë rreth 106 milionë euro. Pas këtij pretendimi të Braçes reagoi Korporata Energjetike, e cila i hodhi poshtë pretendimet, por Braçe është riprononcuar dje pasdite duke u shprehur se të dhënat i kishte siguruar nga faqja zyrtare elektronike e kësaj korporate. Ndër të tjera, Braçe ka theksuar se në raport me vitin 2007, kompania “Rudnap” mundi që në vitin 2008 të trefishonte të ardhurat dhe aksesin e saj në prokurimet e drejtpërdrejta dhe arbitrare të energjisë. “Ajo tashmë është kompania më e madhe përfituese e parave tona të energjisë. “Rudnap” për këtë periudhë ka marrë 46.45 për qind të parave tona publike të energjisë, pra deri në shtator 148 milionë euro. Kompania e dytë pas saj ka marrë vetëm 14 për qind dhe e treta 12 për qind. Një vit më parë, në 2007-n, vit kur Sali Berisha e futi "Rudnap” në treg, mori vetëm 16 për qind, pra vetëm 3 herë më pak se këtë vit, ndërsa në 2006-n nuk ekzistonte fare në listëpagesat e KESH-it. Në më pak se dy vjet, “Rudnap” ka marrë nga paratë tona publike 106 milionë e 189 mijë euro. Nëse për vitin 2008 “Rudnap” është përfituesja e parë e parave, në çmimin e ofruar rezulton e 5-ta ndër 8 kompanitë. Pra, e shtrenjtoi çmimin nga 2.13 euro/mgwh në 8.79 euro/mgwh. Pra, më shumë se kompanite e renditura poshtë saj si përfituese”, - ka deklaruar dje Braçe. Më tej, nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist vuri në dukje se prezenca e Fazlliçit si aksioner në këtë kompani, mënyra jotransparente e zhvillimit të tenderave dhe lidhjet e tij me pushtetin flasin qartë mbi arsyet se pse “Rudnap” është fuqizuar kaq shpejt në tregun shqiptar të importit të energjisë. “Rudnap” është kompania ku Damir Fazlliç është pronar i qartë. Damir Fazlliç është mik zyrtar i shpallur publikisht i administruesit ekskluziv të parave publike të shqiptarëve, Sali Berisha. Sali Berisha është dhe përfaqësoi gjatë vitit 2008 pronarin e vetëm të KESH-it. KESH-i prej 3 vitesh aplikon procedura jotransparente, pa konkurrencë reale në blerje energjie dhe përdorimit të parave publike, denoncuar nga KLSH, të cilat janë të trendit mbi 600 milionë euro. Damir Fazlliç është një biznesmen i regjistruar në agjencitë qeveritare, shërbimet ligjore, të cilat i kryen studio "Malltezi & Kola". Argita Malltezi është vajza e Sali Berishës dhe shërbimin ndaj Damir Fazlliç e ka pranuar botërisht. Pra, kjo është familja që përdor paratë e taksave tona: vajza ofron shërbimin kundrejt pagesës për Damir Fazlliç, babai i saj kryeministër i jep asaj 106.4 mln euro në më pak se 2 vjet nga paratë e taksave tona”, - deklaroi Braçe.

11 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›