E Shtunë, 31 Tetor 2026

“NEW YORK TIMES”: “U gjet i vdekur denoncuesi i trafikut të armëve”



Gazeta prestigjioze amerikane, “New York Times”, në numrin e djeshëm të saj ka shkruar për vdekjen e biznesmenit shqiptar Kosta Trebicka, i cili ishte dëshmitari kyç i tragjedisë së Gërdecit. “Kosta Trebicka u gjet i vdekur, ndërkohë që nuk është bërë i ditur asnjë shkak për vdekjen e tij”. Këto janë fjalët me të cilat nis artikulli i datës së djeshme. Autori i këtij shkrimi është po i njëjti që disa muaj më parë botoi në këtë gazetë investigimin për aferat korruptive të trafikut të armëve mes Shqipërisë dhe kompanisë së 22-vjeçarit Efraim Diverol, C.J. Chivers. “Denoncuesi që zbuloi publikisht praktikat korruptive të kësaj tregtie dhe njëkohësisht nënkontraktor i Pentagonit për shitjen e armëve është gjetur i vdekur në një rrugë malore të premten”.

REUTERS: “Vdes papritur dëshmitari për shqyrtimin e armëve me SHBA-të”

Lajmi për vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka është bërë i ditur edhe nga agjencia e lajmeve “Reuters”. Sipas kësaj agjencie, qeveria shqiptare po merret seriozisht me vdekjen e papritur të figurës që ndihmoi në investigimin e tregtisë së armëve me Shtetet e Bashkuara dhe shpërthimin që la të vdekur 26 persona. “Reuters” sqaron se trupi i pajetë i Trebickës u transmetua nga të gjitha televizionet. Në këto pamje koka e tij ishte e mbuluar nga gjaku dhe kufoma u gjet në një rrugë dytësore në Lindje të vendit. Automjeti i tij i dëmtuar, sqaron “Reuters”, u gjet disa metra larg trupit. “Kemi identifikuar se trupi i përket qytetarit Kosta Trebicka”, - është shprehur ministri i Brendshëm Bujar Nishani gjatë një konference në orët e vona të mbrëmjes.

TERRA: “Vdes denoncuesi i trafikut të armëve në Shqipëri”

Agjencia spanjolle e lajmeve “Terra” bëri të ditur dje vrasjen e dëshmitarit kyç, që denoncoi trafikun ilegal të municioneve nga Shqipëria në Afganistan. Trebicka, sipas agjencisë spanjolle, vdiq në kushte misterioze që u raportua si aksident automobilistik nga autoritetet policore. E gjitha kjo erdhi pas shitjes së fishekëve dhe municioneve që Shqipëria shiti në Afganistan, fishekë këta të sistemit komunist, të cilët ishin prodhuar në Kinë. “Terra” hedh dyshimet e saj për përfshirjen në këtë tregti armësh të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu me Ylli Pinarin. Efraim Diveroli akuzohet për shkelje të ligjit të SHBA-ve pasi shiti në Afganistan municione kineze, të cilat nuk lejohet të blihen nga ky vend.

15 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›