Shkodër, kapet 27-vjeçari me 6 kg e 750 gr kanabis sativa
Policia e Shkodrës ka arrestuar një 27-vjeçar, i cili i shpëtoi ndjekjes së policisë një ditë më parë, ndërsa gjatë ndjekjes hodhi nga makina një sasi prej 6 kg e 750 gr kanabis sativa. Në prangat e uniformave blu ra Përparim Rrgalla, lindur e banues në fshatin Grudë e Re, komuna Rrethina Shkodër. Sipas policisë në lagjen “Skënderbeg” të qytetit Shkodër, pikërisht në vendin e quajtur Fermentim, teksa i riu po udhëtonte me automjetin e tij tip “Ford”, me targa angleze RI 35 AKW, ai nuk i ka ndaluar kontrollit të policisë. I dyshuari i është shmangur uniformave blu, të cilat në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për të, kanë tentuar ta ndalojnë automjetin e tij për kontroll.
I riu është larguar me shpejtësi nga vendi ku u tentua ndalimi me postbllok policor, e ka thyer atë dhe gjatë ndjekjes nga ana e shërbimeve policore, ka hedhur nga makina një thes prej lini, mbështjellë me qese plastike, që peshonte 6 kg e 750 gramë, të mbushur me kanabis sativa. Policia tha se kreu arrestimin e të dyshuarit dhe bëri sekuestrimin e automjetit me të cilin akuzohet se ka transportuar lëndën narkotike. Ai është shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Njëzeteshtatëvjeçari akuzohet për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.