Pretenca, 102 vite burg bandës së Zani Çaushit
TIRANË- Prokuroria e Tiranës, pas tetë viteve shqyrtime gjyqësore ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të “bandës së Çoles” së drejtuar nga Myrteza Çaushi i njohur si Zani i Vlorës, arriti të lexoje konkluzionet përfundimtare, duke kërkuar nga gjykata dënimin me 102 vjet burg për pesë të pandehurit. Sipas prokurorit Ervin Karanxha, të pandehurit Dorian Saliu, Renato Çerçizi, Skënder Bajrami, Hair Hiraj dhe me të vetmin të arrestuar në këtë proces gjyqësor Myrteza Çuashi i njohur ndryshe si Zani i Vlorës, kanë kryer një sërë veprash të rënda penale, nga ajo e vrasjes e deri tek rrëmbimi i personit dhe vendosjes së gjobave për lirimin e tyre. Mësohet se nga zhvillimi i hetimit gjyqësor ka rezultuar se pesë të pandehurit i kanë kryer këto vepra penale në bashkëpunim me personat që tashmë janë deklaruar të vrarë, si Afrim Rami, Pëllumb Bajrami, Gjikë e Kastriot Gërdhuqi, Leonard Idrizi, Edison Mamo, Taulant Shyti, Edmond Dule dhe Ferdinand Tafili. Të gjithë së bashku i kanë kryer këto vepra penale në kuadër të organizatës së armatosur të drejtuar nga i pandehuri që është dënuar meburg të përjetshëm Zani Çaushi. Prokurori i çështjes në leximin e konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Altin Abdiu të deklarojë fajtorë të pesë të pandehurit për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me dashje” të shtetasve: Bledar Duçko, Neritan dhe Edmond Dednika, Arben Latifi, Gjergj Cukalla e Niko Boraku, “rrëmbimin e personave me qëllim përfitimin e parave” të shtetasve Artur Gjoshi, Pëllumb Petriti, Foto Kola, Sokol Kamberi e Kanan Shakaj. “Për kryerjen e këtyre veprave penale kërkojmë nga Gjykata dënimin e të pandehurve Myrteza Çuashi, Dorian Saliu e Skënder Bajrami me nga 25 vjet burg secili, dënimin me 22 vjet burg për shtetasin Renato Çerçizi dhe me 5 vjet burg për shtetasin Hair Hiraj”,- thuhej në pretencë. Ndërkohë, në seancën e radhës avokatët mbrojtës të të pandehurve dhe vetë Zani Çaushi pritet të parashtrojnë pretendimet e tyre përfundimtare në lidhje me akuzat dhe masën e dënimit të kërkuar nga prokurori Karanxha në seancën e djeshme që zgjati rreth dy orë. Të gjitha këto vepra penale sipas prokurorit janë kryer gjatë vitit të mbrapsht 1997 në qytetin e Vlorës dhe zonat për rreth. Gjithashtu, mësohet se shqyrtimi i dosjes penale ndaj “bandës” së Çoles ka filluar në vitin 2000, pasi dosja penale u transferua nga prokuroria e Vlorës për arsye sigurie në Tiranë. Për këto akuza, mësohet se Zani Çuashi është gjykuar njëherë në vitin 1998, nga Gjykata e Shkallës së Parë por në mungesë të provave togat e zeza të kësaj gjykate e dënuan vetëm me ditët e paraburgimit për “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Më pas edhe Gjykata e Apelit la në fuqi këtë vendim të Shkallës së Parë që u prish më pas nga Gjykata e Lartë e cila e rikthej dosjen për gjykim sërish pranë Shkallës së Parë por tashmë me trup tjetër gjykues.
Dëshmia e “të fortit” të Vlorës në lidhje me krimet e kryera nga banda e tij
Zani: Unë shpëtova policin e Sarandës nga vrasja
TIRANË- Vetë i akuzuari kryesor i këtij procesi nuk ka pranuar asnjë nga akuzat. Madje ai është prezantuar në gjykatë si “shenjtor”“Jam i pafajshëm. Të gjitha akuzat ndaj meje janë politike. Unë nuk kam vrarë njerëz përkundrazi kam shpëtuar jetë njerëzish e nuk kam vendosur gjoba nëpër qytetet e jugut. Kam shpëtuar nga vrasjet policë, prokurorë, gjykatës e pengje që janë marrë nga të tjerët. Në vitin 1997 kam shpëtuar policin Eduart Aliaj nga pengmarrja, shokun e të cilit e kanë vrarë dhe djegur në vendin e quajtur Qafë Gjashtë. Unë i kundërshtoj me përbuzje të gjitha akuzat e organit të prokurorisë. Nuk kam kryer krime në vitin 1997, por kam mbrojtur Vlorën nga personat e armatosur. Ishte një vit i mbrapshtë ashtu si e dini edhe ju dhe për këtë qëllim mora përsipër të mbroja qytetin tim. Nuk kam vrarë unë asnjë njeri. Të tjerët kanë vrarë në emrin tim dhe tashmë jam unë ai që vuan pasojat e krimeve të kryera me barbarizëm. Të gjithë ata që kanë dëshmuar kundër meje e kanë qenë nën presion pasi unë kurrë nuk kam vrarë njeri dhe nuk kam dhënë urdhër për të vrarë njerëz. Unë nuk kam dhënë urdhër për të vrarë asnjë person në Vlorë. Në emrin tim kanë vrarë persona të tjerë. Armando Grabova është njeriu që ka vrarë në Vlorë shumë djem nënash. Ky ka vrarë në emrin tim dhe tani ndodhet i lirë. Prokuroria dhe policia e dinë shumë mirë se ku ndodhet Grabova dhe për këtë arsye duhet ta arrestojnë. Por ato duket se po bashkëpunojnë me krimin. Unë mund të marr përsipër ato gjëra që kam bërë, por në asnjë mënyrë nuk kam dhënë urdhër për të vrarë”, thuhet në dëshminë e Zani Çaushit.
AKUZAT E BANDËS
7 maj 1997, është marrë peng tregtari Artur Gjoshi dhe miku i tij Pëllumb Petriti
9 maj 1997, vritet Bledar Duçka me nofkën “Kuqo” që hyri ndërmjetës për lirimin e Gjoshit
8 maj 1997, rrëmbehet tregtari Foto Kola, pas torturave lirohet për 500.000 lekë
11 maj 1997, vriten Neritan dhe Edmond Dednika
19 maj 1997, vritet Arben Latifi dhe Gjergj Cukalla
19 maj 1997, vritet Niko Boraku
Korrik 1997, rrëmbehet Sokol Kamberi
23 qershor 1997, rrëmbehet kryetari i komunës Novoselë, Kanan Shakaj, lirohet pasi u paguan 200 milionë lekë