E Diel, 1 Nëntor 2026

Memia dhe Bode shpërndajnë në Korçë 150 leje legalizimi



ALUIZNI vazhdoi dje takimet sipas kalendarit me shpërndarjen e lejeve të legalizimit në bashkitë e Korçës dhe Pogradecit. Në takimin e organizuar ka marrë pjesë drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia, ministri i Financave dhe deputeti i Korçës, Ridvan Bode. Gjatë fjalës së tij Memia theksoi se janë rreth 400 milionë dollarë kapital i vdekur vetëm për qarkun e Korçës, që nuk janë pjesë e tregut. Me këtë reformë ky kapital ligjërohet dhe bëhet pjesë e tregut. Qeveria, për këtë reformë, ka investuar gati 10 milionë euro në teknologjinë më të fundit, teknologji e cila do të stabilizojë gati 10 miliardë dollarë pasuri në të gjithë vendin. “Me këtë reformë, - tha Memia, - ne sjellim stabilitet për pronën me procedura korrekte ligjore”.
Ministri i Financave dhe deputeti i Korçës, Ridvan Bode, në takimin e shpërndarjes së rreth 150 lejeve u shpreh se legalizimi i objekteve informale ishte një program ambicioz i qeverisë shqiptare, i cili ishte i kushtueshëm, por ne ndërmorëm hapa që u finalizuan me konkretizimin e këtij projekti brenda mandatit të parë qeverisës. Në qarkun e Korçës janë deklaruar 9962 objekte informale. Janë kryer matjet në terren dhe është bërë azhornimi për 60% të këtyre objekteve, nga të cilat janë të gatshme për qytetarët 1050 leje legalizimi, që mund t’i tërheqin pasi të kenë shlyer detyrimet për objektin sipas ligjit. Ndërsa për 550 objekte është përfunduar i gjithë procesi dhe po bëhet lëvrimi i lejeve.

30 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›