Tirana, sot vendoset emri i trajnerit të ri bardheblu
Tirana do të njohë sot emrin e trajnerit të ri, i cili do të duhet ta drejtojë këtë skuadër deri në fund të sezonit 2009-2010. Ky të paktën është premtimi i presidentit të bardhebluve, Refik Halili, i cili duket se është i vendosur që ta zëvendësojë sa më shpejt që të jetë e mundur ish-trajnerin e dorëhequr të shtunën, Ilija Lonçareviç. Kroati 64-vjeçar vendosi të hiqte dorë nga drejtimi i skuadrës menjëherë pas ndeshjes së javës së gjashtë, kur ekipi i tij barazoi me rezultatin 1-1 në kryeqytet ndaj Kastriotit. Shkak për këtë vendim të tij u bënë jo vetëm rezultatet e dobëta në 6 javët e para të sezonit, por edhe përplasjet me drejtuesit e klubit. Madje ai shënjestroi pikërisht presidentin Halili dhe njerëzit përreth tij (këshilltarët). Menjëherë pas dorëheqjes së tij, ka filluar të qarkullojë edhe një episod i shëmtuar, si ai i ndërhyrjes së presidentit në lidhje me formacionin që do të zbriste në fushë në pjesën e dytë ndaj Kastriotit. Sikurse është mësuar, kjo përplasje ka ndodhur pikërisht gjatë pushimit mes dy pjesëve, por ka mjaftuar për të bindur Lonçareviçin të japë dorëheqje të parevokueshme. Gjithsesi tashmë këto mund të quhen "të shkuara të harruara". Mësohet se dje presidenti Refik Halili është takuar me kryesinë e klubit për të marrë vendimin përfundimtar në lidhje me emrin e njeriut që do të drejtojë Tiranën në të ardhmen. Burime të besueshme pranë tyre pohojnë se tashmë emri është vendosur, por vetë zoti Halili nuk ka preferuar ta bëjë publik. Ai dëshiron që ta bëjë një gjë të tillë në momentin e prezantimit zyrtar të teknikut të ri në skuadër. Një gjë është thuajse 100% e sigurt, trajneri i ri i Tiranës do të jetë shqiptar. Kandidaturat më të përfolur janë ish-tekniku bardheblu, Suljeman Starova dhe drejtori aktual teknik në këtë klub, Alban Tafaji. Një tjetër pistë ka qenë edhe ajo e Hasan Likës, por që duket se është hedhur poshtë për shkak se nuk gëzon mbështetjen e tifozëve. Më shumë mundësi ka që të qëndrojë Tafaji. Vetë Tafaji u shpreh se "unë do të jap kontributin tim për Tiranën, pavarësisht se nuk kam vendosur ende që të marr drejtimin e ekipit". Gjithsesi është thuajse e sigurt që seanca e nesërme stërvitore e bardhebluve do të drejtohet nga trajneri i ri.
A. Manallari
A. Manallari