E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shmang mediat, asnjë koment për "skandalin Pango"

Reagimi për "skandalin Pango" ka qenë i menjëhershëm. Shkarkimi brenda katër minutave dhe telefonata në orët e vona të natës duket se kanë mjaftuar. Kryeministri Sali Berisha nuk preferoi dje të bëjë më asnjë koment mbi këtë ngjarje të shëmtuar, duke lënë të kuptohet se tashmë për të ajo është një çështje e mbyllur. Kreu i qeverisë i është shmangur interesit të medias gjatë një takimi për legalizimet, duke mos pranuar në të paktat raste t‘u përgjigjet pyetjeve të tyre. Po kështu, të njëjtin veprim ai ka bërë edhe në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar dje në mesditë, ku preferoi të flasë vetëm për krizën ekonomike dhe privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Gjithçka për opinionin duket se është thënë me vendimin e marrë natën kur u transmetua videoja në "Fiks Fare". Në njëfarë mënyre, mosreagimi i mëtejshëm, por vetëm përmes zëdhënëses së tij, tregon se Berisha preferon ta largojë nga vëmendja këtë çështje. Kjo është një praktikë jo shumë e njohur, pasi Kryeministri gjatë këtyre katër viteve në qeverisje është parë shpesh herë në mbrojtje të bashkëpunëtorëve të tij. Për këtë mjafton të kujtosh ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish-drejtorin e Aviacionit Civil, Gazmend Dibra, ish-ministrin e drejtësisë, Ilir Rusmajli, apo ministrin aktual të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. Mbrojtje të cilat janë bërë nëpërmjet konferencave për shtyp, por edhe në sallën e Parlamentit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›