Topi: "Pango", e firmosa shkarkimin pa hezitim
Ylli Pango është shkarkuar nga posti i ministrit të Kulturës pa asnjë lloj hezitimi nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kjo u pranua dje nga kreu i shtetit, i cili duke iu përgjigjur interesit të medias për firmosjen e dekretit, ka theksuar se "me të ardhur në tavolinë propozimi i Kryeministrit, nuk kanë kaluar shumë minuta dhe unë kam dekretuar shkarkimin e tij". Duke mos dashur të bëjë shumë komente rreth skandalit "Pango", Presidenti theksuar se ky veprim flet qartë dhe është media ajo që bën komentet në funksion të veprimit. Por, shtoi ai, "unë i mbetem gjithmonë atij parimi që Presidenti shprehet me dekret". Për kreun e shtetit, reagimi i tij kishte qenë në mënyrë institucionale dhe për këtë veprim ai tashmë nuk kishte asnjë hezitim. Gjithashtu, ai vlerësoi se lidhur me emërimin e ministrit të ri nuk do të ketë asnjë vonesë, do ta firmosë dekretin sapo emri i propozuar nga Kryeministri Berisha të paraqitet në tryezën e punës së tij. Para mediave, Presidenti nuk i kurseu vlerësimet për emrin e ministrit të ri, duke thënë se "paraprakisht e vlerësoj personalitetin e zotit Ardian Turku dhe pa pikë mëdyshje ai do të dekretohet në momentin e parë që do të arrijë në zyrë". Ish-ministri Ylli Pango u shkarkua tre ditë më parë nga Kryeministri Berisha, menjëherë pas publikimit të një videoje skandaloze të tij nga televizioni "Top Channel". Ministri ofronte shtratin e tij për të siguruar një vend pune në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pas këtyre akuzave të publikuara në media dhe të komentuara ashpër në sallën e Kuvendit, ku kolegët deputetë i kërkuan atij që të mos paraqitej më dhe të lëshonte mandatin e deputetit, erdhi dhe reagimi i Pangos. Ai e cilësoi sulmin ndaj tij të stisur nga departamenti i emisionit që realizoi videon dhe kreu i opozitës, Edi Rama. Por deklaratat e ish-ministrit Pango duket se nuk janë dhe aq bindëse, të paktën për Kryeministrin Sali Berisha, i cili pa humbur kohë ka emëruar ministrin e ri. Për një veprim të tillë duket se ka mjaftuar vetëm një telefonatë e realizuar vetëm pak momente pas transmetimit të videos në emisionin "Fiks Fare". Ardian Turku pritet që në fillim të javës të marrë dekretin e Presidentit dhe miratimin e Kuvendit për të nisur më pas punën në Ministrinë e Kulturës. Kundërshtitë e Pangos nuk janë bindëse edhe para një fakti tjetër, që prej më se dy ditësh në media, në faqet e internetit, vijnë dhe shtohen paditë dhe akuzat ndaj tij. Vajza të reja çdo ditë denoncojnë ish-ministrin e Kulturës për abuzime seksuale në punë, ndërkohë që nuk mbeten prapa edhe studentet e tij. Sipas tyre, bëmat e Pangos tashmë diheshin nga të gjithë. Denoncimi i "Fiks Fare" vetëm sa i përforcoi ato. Edhe pas kërkesës së fortë publike të Kryeparlamentares Jozefina Topalli, deputeti Pango duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mandati i deputetit. Teksa ka lënë të hapur gjithsesi mundësinë për të hequr dorë vullnetarisht nga imuniteti që i jep Kushtetuta për shkak të postit që mban.