E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, dy të vdekur në Vlorë dhe Gjirokastër

Dy aksidente të rënda kanë ndodhur dje në Vlorë dhe Gjirokastër, ku dy persona kanë gjetur vdekjen. Në Vlorë, viktima është një këmbësor që është shtypur nga një kamion i tonazhit të rëndë, ndërsa në Gjirokastër një shofer ka gjetur vdekjen, kur mjeti që drejtonte doli nga rruga dhe u përfshi nga flakët.

Vlorë

Aksidenti i rëndë automobilistik ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në rrugën "Transballkanike". Shkaku ka qenë shpejtësia e mjetit, si dhe një kalim i gabuar i këmbësorit. Një burrë rreth 60 vjeç, ende i paidentifikuar, është goditur nga kamioni tip "Scania", me targa FR1248C, që drejtohej nga shtetasi Jetnor Pashaj, 45 vjeç, me banim në Patos të Rrethit të Fierit. Drejtuesi i mjetit, i cili ishte duke udhëtuar në drejtim të Portit të Vlorës, sapo ka parë që i ka prerë rrugën këmbësori, ka frenuar ashpër, por mjeti i rëndë ka vijuar të lëvizë edhe për rreth 60 metra dhe e ka përplasur këmbësorin, duke i shkaktuar vdekjen. Shoferi ka dalë nga makina për t‘i dhënë ndihmën viktimës, por ai kishte ndërruar jetë brenda disa sekondash. Në vendngjarje ka shkuar policia e qarkullimit rrugor, si dhe ajo kriminale, që kanë kryer ekspertizat e nevojshme dhe kanë shoqëruar për në komisariat shoferin. Sipas burimeve të policisë së qarkullimit rrugor, shkak i aksidentit me pasojë vdekjen ka ardhur si rezultat i kalimit të viktimës nga njëra anë e rrugës në tjetrën pa vënë re automjetin që po vinte në drejtim të tij, por edhe mjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi përtej normave të lejuara.

Gjirokastër

Frenimi në rrugën e mbuluar nga breshëri ka qenë shkaku i një aksidenti të rëndë automobilistik në autostradën Gjirokastër-Kakavijë. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 15:30, pranë fshatit Jorgucat. Burime të policisë rrugore në Komisariatin e Gjirokastrës bënë të ditur se automjeti tip "Golf 4", me targa GJ8669A, që drejtohej nga shtetasi Altin Lamko, 39 vjeç, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në fushë. Si pasojë e kësaj daljeje, drejtuesi i automjetit ka humbur jetën menjëherë, ndërsa automjeti ka marrë flakë. Ndërhyrja e menjëhershme e punonjësve të policisë ka bërë të mundur nxjerrjen e viktimës nga makina përpara se flakët të përhapeshin, por ai kishte ndërruar jetë nga goditjet e marra gjatë rrokullisjeve jashtë rrugës. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shkaku i aksidentit ishte shpejtësia tej normave të lejuara dhe moti tepër i keq.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›