PSD: Qeveria, me nivel të lartë të korrupsionit moral
Socialdemokratët ngritën dje shqetësimin për nivelin e lartë të korrupsionit moral të qeverisë "Berisha". Nënkryetari i kësaj partie, Ëngjëll Bejtaj, vlerësoi se mazhoranca me në krye Kryeministrin u përpoq të bindte opinionin se shkarkimi i ministrit Pango, në mënyrë të rrufeshme është dëshmi e standardit të kësaj qeverie. "Kjo është plotësisht e vërtetë. Një Kryeministër i përgjegjshëm e shkarkon ministrin e tij jo në momentin kur skandali bëhet publik, por kur ai informohet për skandalin. Dhe kjo nuk ndodhi", theksoi Bejtaj. Ky duhet të jetë, tha ai, standardi i një qeverie dhe mazhorance të përgjegjshme, por kurrsesi s‘mund të jetë standard i kësaj mazhorance dhe kësaj qeverie. "Shqiptarët më 28 qershor do t‘i japin dënimin e merituar kësaj mazhorance, e cila nuk diti gjë tjetër veçse të prodhonte tragjedi, kriza dhe skandale pa fund", theksoi Bejtaj. Partia Socialdemokrate insiston në faktin se qeveria po e zhyt vendin në kriza shumëplanëshe. "Institucionet financiare ndërkombëtare si BB, FMN, përsërisin thirrjet për të marrë masat e nevojshme për të përballuar krizën, Kryeministri shqiptar dhe gjithë tellallët e komanduar nga ai u ngjirën duke bërtitur se Shqipëria as është dhe as nuk do të jetë në krizë, a thua se ne nuk jemi pjesë e këtij rruzulli", u shpreh Bejtaj. Pra, vijoi ai, mesa duket për Kryeministrin dhe mazhorancën që ai kryeson Shqipëria vazhdon të jetë si para 50 vjetësh, një shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut, që i bën ballë çdo stuhie?!