Përkujtohet njëvjetori i tragjedisë së Farkës
Të afërmit e 16 viktimave të tragjedisë së Farkës kanë kujtuar dje përvjetorin e parë të kësaj ngjarjeje të rëndë. Familjarë dhe të afërm të viktimave kanë hedhur lule në ujërat e liqenit në shenjë kujtimi për të afërmit e tyre. Si sot një vit më parë, 16 persona humbën jetën tragjikisht vetëm pak minuta pasi kishin përfunduar festimet e një ditëlindjeje. Një familje u shua, ndërsa 5 familje të tjera humbën njerëzit e tyre më të dashur. Të afërm të viktimave kujtuan dje Pranvera Blamon, djalin e saj Erionin, Pëllumb Hysajn, Majlinda Hysajn, Alban Hysajn, Aurela Osmanin, Halil Osmanin, Hatixhe Osmanin, Eliona Osmanin, Alket Osmanin, dy binjaket trevjeçarë Saida dhe Ejsi Osmanin, Thellëza dhe Arlind Spahiun, dhe Afrim Dibrën, pronarin e lokalit "Liqeni", ku po darkonin viktimat atë natë. Vetëm tre persona arritën t‘i mbijetonin përmbysjes së varkës, në të cilën atë natë kishin hipur 19 persona. Sipas policisë, shkak për mbytjen e varkës ka qenë mbipesha, por edhe një shkëndijë zjarri e krijuar nga kontakti i motorit të varkës me ujin. Mjeti me të cilin 19 personat tentuan të kalonin liqenin, mund të mbante deri në shtatë persona.