Rrebeshi i shiut shkakton shembje në rrugën nacionale
Reshjet e shiut kanë sjellë dëme jo të vogla në rajonin e Kukësit, kryesisht në rrugë. Kështu, dy ditë më parë, si pasojë e shiut, ka pasur shembje të skarpatës në disa segmente të rrugës nacionale Tiranë-Kukës, çka u bë shkak për bllokimin e qarkullimit në dy kahet. Drejtues të mjeteve që kanë përshkuar këtë aks thanë se në afërsi të Komunës së Shëmrisë, në tre vende ishin shembur masive dheu në rrugë dhe vetëm pas arritjes së fadromave është bërë i mundur kalimi. Po ashtu edhe në Qafë-Shllak, në përroin e Qafës së Malit, dhe në shumë vende të tjera rruga është bllokuar për gati katër orë, çka ka bërë që një numër mjetesh të nisura për Kukës të kthehen mbrapsht që në Milot. Banorët e zonës nuk e mbajnë mend një shembje të tillë të skarpatës së rrugës. Megjithëse aty punojnë të paktën katër fadroma, në pak kilometra rruga bllokohet çdo tre-katër orë prej shembjeve. Ekspertët e mjedisit thonë se shkaku i shembjes së dheut në rrugë vjen nga zhdukja e pyjeve nga sëpata dhe zjarri. Vitet e fundit, në krejt zonën e verilindjes janë djegur rreth 10 mijë hektarë me pyje. Vetëm gjatë vitit 2007, në aksin e rrugës u dogjën rreth 3 ha pyje, kryesisht me pishë. Edhe në zonat rurale ka pasur shembje të dheut në rrugë, ku janë krijuar anomali në qarkullimin e mjeteve.