Berisha shmang përsëri 21 janarin, flet për mbresat nga vizita në Malin e Zi

Sali Berisha
Kreu i qeverisë siç bën në çdo rast pas kthimit nga vizitat në çdo mbledhje qeveri flet për mbresat e tij personale dhe marrëveshjet e arritura. Këtë herë Berisha foli për vizitën e kryer në shtetin fqinj Malin e Zi. Kryeministri tha se falënderonte shqiptarët për mikpritjen dhe se qeveria e tij do të mbështesë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Berisha duke folur për axhendën e mbledhjes, i kërkoi ministrit të Teknologjisë Genc Pollo që të bëhet e mundur që çdo ministri dhe institucion të publikoi të dhënat mbi shpenzimet. Nga ana tjetër ai nënvizoi se qeveria shqiptare është një nga më transparentet. Qeveria shqiptare është nga më të paktët që bën një transparencë të plotë të shpenzimeve. Kërkoj që këto shpenzime qytetarët të mos i lexojnë vetëm në thesarin e ministrisë së Financave por në të gjitha ministritë dhe institucionet, u shpreh Berisha.
Edhe në këtë dalje publike para mediave kryeministri ka shmangur çdo diskutim rreth 21 janarit edhe pse ka një urdhër-arrest për ish-kreun e Gardës së Republikës dhe shefin e IT-së në kryeministri.