E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët e ODIHR-it nisin bisedimet për Kodin

26/01/2012  Ekspertët zgjedhorë asistencë për ndryshimet. Reforma të përfundojë në kohë

Topalli: Reforma zgjedhore do të jetë sipas rekomandimeve të OSBE–ODIHR-it

Ekspertët zgjedhorë të ODIHR-it kanë pranuar ftesën e bërë nga Kuvendi i Shqipërisë për të dhënë asistencën e tyre për reformën zgjedhore. Në kuadër të këtij bashkëpunimi me Komisionin parlamentar për Reformën Zgjedhore, grupi i ekspertëve do të japë vlerësimet e tij për amendimet që ekspertët shqiptarë do të bëjnë për Kodin e ri Zgjedhor. Ekspertët e ODIHR-it, të cilët do të monitorojnë gjithë procesin e reformës zgjedhore, do të kenë një rol vlerësues mbi zbatueshmërinë e rekomandimeve të bëra nga ODIHR-I për dy proceset e fundit zgjedhore në Shqipëri. Në këtë kuadër, programin e tyre të takimeve ata e nisën me kryeparlamentaren Topalli, e cila u garantoi se 53 rekomandimet e raporteve paszgjedhore të kësaj strukture do të jenë baza e Kodit. “Këto 53 rekomandime janë vetë reforma zgjedhore”, - tha kryeparlamentarja. Duke falënderuar përfaqësuesit e ODIHR-it, Jessie Pilgrim dhe Richard Lappin, për kontributin dhe mbështetjen dhënë Shqipërisë për reformën elektorale, Topalli vlerësoi përfundimet e raportit e ODIHR-it, që i cilësoi zgjedhjet vendore të 8 majit të vitit të kaluar si kompetitive dhe transparente. “Këto zgjedhje ishin më transparentet dhe u zhvilluan me një sistem demokratik zgjedhor të propozuar nga PS-ja e të miratuar me konsensus të plotë nga socialistët e demokratët në Kuvend. Po ashtu opinioni i përbashkët i ODIHR-it dhe Komisionit të Venecies përbën një dokument ligjor profesional, i cili shërben si plan pune në zbatimin e 53 rekomandimeve për zgjedhjet, të cilat janë çështje standardi dhe jo çështje partiake”, - u shpreh Topalli gjatë takimit të djeshëm.

Ekspertët e ODIHR-it theksuan gatishmërinë e tyre për të asistuar në reformën zgjedhore, në mënyrë që ajo të përfundojë në kohën e duhur. “Shqipëria ka një progres shumë evident për sa i përket kuadrit ligjor dhe rritjes së standardeve zgjedhore. Jemi maksimalisht të gatshëm për të asistuar në reformën zgjedhore, në mënyrë që ajo të përfundojë në kohën e duhur”, – tha eksperti i ODIHR-it Jessie Pilgrim. Në përfundim të takimit bashkëbiseduesit u shprehën optimistë për një reformë zgjedhore cilësore, e cila do të jetë materializim i rekomandimeve të OSBE–ODIHR-it e do të miratohet brenda afatit të duhur kohor.

Ekspertët e ODIHR-it takim me krerët e partive të vogla

Të vegjlit prezantojnë propozimet e tyre për reformën zgjedhore

Menjëherë pas takimit me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli ekspertët e ODIHR-it zhvilluan një tjetër takim gjatë ditës së djeshme, kësaj radhe me krerët e partive të vogla, ku dëgjuan pretendimet e tyre për reformën zgjedhore. Në takimin me ekspertët e huaj Jessie Pilgrim dhe Richard Lappin “të vegjlit” i kërkuan ODIHR-it që të ndërhyjë te Komisioni për Reformën Zgjedhore për të mos lejuar përjashtimin e tyre si në zgjedhjet e 2009-s. Pas këtij takimi, që zgjati rreth dy orë, kreu i PDK-së Nard Ndoka theksoi nevojën që reforma zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse dhe të mos dëmtojë partitë e vogla. Ndërsa kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli, theksoi se “diskutuam mbi parimin bazë të vlerësimit të votës, që vota të jetë e barabartë për të gjithë, në mënyrë që çdo votë që jepet të përkthehet në numër deputetësh apo në numër këshilltarësh, kur është fjala për pushtetin vendorë”. Kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, bëri me dije se gjatë takimit u është kërkuar ekspertëve ndërkombëtarë që kërkesat e tyre të merren parasysh nga dy partitë e mëdha, pasi çdo takim ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret bashkëpunimi. “Në qoftë se herët e tjera kanë ardhur e kanë shkuar pa ndikuar te dy partitë e mëdha për të bërë ndryshime thelbësore në Kodin Zgjedhor, këtë herë duhet të qëndrojmë fort, pasi, në rast se dhe këtë herë do të dështojnë në misionin e tyre për të bindur dy partitë e mëdha se Shqipëria nuk mund të vazhdojë të ecë më tutje me mendësinë e së kaluarës dhe me ligje që në letër mund të jenë të mira, po kur vjen në praktikë ato nuk zbatohen, atëherë është e kotë që vinë”, - u shpreh Milo. Grupi i ekspertëve të ODIHR-it do të qëndrojnë në Tiranë deri të premten, kur Komisioni i Reformës Zgjedhore do të votojë dhe 3 kapitujt e parë të Kodit.

Kërkesa e PSV ‘91

Në takimin e ekspertëve të OSBE–ODIHR-it me partitë politike joparlamentare kreu i PSV ’91, Petro Koçi, theksoi:

1. Nevojën e korrigjimit të sistemit nëpërmjet:

a. vendosjes së kuotës kombëtare të mandateve;

b. mundësisë e listave të përbashkëta krahas atyre të veçanta brenda koalicioneve;

c. shpërndarjes së mandateve edhe nëpërmjet nënkoalicioneve.

2. Në ndryshimet në Kod të parashikohet qartë mjeti i identifikimit biometrik të zgjedhësve në pjesëmarrjen në procesin e votimit.

3. Numërimi i votave të jetë elektronik.

4. Të jepet mundësia e gjithëpërfshirës së çdo subjekti elektoral në mbikëqyrjen faktmbledhëse me vlerë juridike të procesit zgjedhor.

5. Depolitizimi të administratës zgjedhore nëpërmjet sistemit të përzier, ku krahas barazisë së përfaqësimit të palëve të garantohet përfaqësimi nga përfaqësues me short të gjyqësorit apo niveleve të ngjashme.

6. Kontrollueshmëri, transparencë dhe dënueshmëri të procesit pas përfundimit të votimit.

Propozimet e KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka adresuar një sërë propozimesh pranë Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore. Në paketën e ndryshimeve që i është paraqitur komisionit parlamentar, KQZ-ja kërkon edhe saktësimin e termit “votë e hedhur gabim”, duke i cilësuar ato si të vlefshme. “Regjimi i fletës së votimit të mos jetë e lidhur me kutinë e votimit. Kutia e votimit të konsiderohet si material zgjedhor, që mban fletët e votimit të sigurta deri në çastin e numërimit. Kutia mund të numërtohet me numra. Të gjitha kutitë e votimit të një qendre votimi të hapen njëkohësisht nga grupi i numërimit dhe fillimisht të ndahen sipas organit përkatës (gjë e cila evidentohet menjëherë në bazë të ngjyrës së fletës së votimit) dhe më pas të bëhet numërimi për secilin organ dhe të plotësohet tabela përkatëse”, - thekson KQZ-ja në draftin e saj. KQZ-ja propozon që fletët e votimit të mos digjen, por të riciklohen.

Komisioni i Venecies

Në projektin e hartuar nga ekspertët e Komisionit të Venecies si dhe një ekspert i ODIHR-it për reformën zgjedhore në Shqipëri vëmendje e veçantë u kushtohet aspekteve që lidhen me zgjedhjet vendore, të cilat në kodin aktual “ishin lënë pas dore”. Ekspertët japin sugjerime për ndryshime dhe përmirësime në shumë prej neneve, ndërsa në mënyrë të përmbledhur propozimet e tyre kanë të bëjnë me “rregulla që të garantojnë emërimin e shpejtë të anëtarëve të komisioneve zgjedhore” në rastet kur ata zëvendësohen, një praktikë e përdorur shpesh nga partitë, apo “rregulla që të ndalojnë heqjen e tyre pa një arsyetim të qenësishëm”, sikundër nuk konsiderohet normale që gjatë hedhjes së shortit për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor një gjykatës mund të refuzohet pa motivacion. Ndër të tjera ekspertët kërkojnë “përcaktim të qartë se si do të veprohet me votat e hedhura në kutinë e gabuar, e po ashtu edhe pasqyrimi i tyre në tabelat e rezultateve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›